RMV, u mbajt Dita e Industrisë së NATO-s për bashkëpunim më të ngushtë midis kompanive dhe agjencive të NATO-s

Ministria e Mbrojtjes, së bashku me Agjencinë e NATO-s për Mbështetje dhe Prokurim dhe Agjencinë e NATO-s për Komunikim dhe Informacion, sot organizuan Ditën e Industrisë së NATO-s në Shkup, ku kompanitë mund të mësojnë më shumë për procedurat për hyrjen në tregun e NATO-s, i cili aktualisht arrin në më shumë se 10 miliardë euro në vit, transmeton Portalb.mk.

Në hapjen e Ditës së Industrisë së NATO-s folën Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetje dhe Prokurim Stejsi Kamings dhe shefja e prokurimit në Agjencinë për Komunikim dhe Informacion,  Xhenifer Apton.

„Kur flasim për NATO-n mendojmë për sigurinë dhe stabilitetin, por po aq e rëndësishme është mundësia që kompanitë maqedonase të marrin pjesë në mënyrë të barabartë me të gjitha kompanitë e tjera në vendet anëtare në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve për nevojat e Aleancës. Është një treg i konsiderueshëm me mbi 10 miliardë euro në vit që nuk duhet ta humbasim. Duhet të jemi ambiciozë, të konkurrojmë me cilësi dhe kapacitet dhe të dëshmojmë se kompanitë maqedonase teknologjikisht dhe ne aspekt zhvillimor mund t’i përmbushin kërkesat dhe të jenë konkurrente me kompanitë në vendet aleate”, tha ministrja.

Petrovska nënvizoi se një numër në rritje i kompanive në Maqedoninë e Veriut po shprehin interes për t’u regjistruar në regjistrin e operatorëve ekonomik dhe për të marrë konfirmimin për përmbushjen e kushteve për pjesëmarrje në procedurat e prokurimit për nevojat e NATO-s dhe vendeve anëtare.

„Sfida jonë e përbashkët është rritja e pjesëmarrjes në tregun e NATO-s. E vetëdijshme se çdo fillim është i vështirë, Ministria e Mbrojtjes është një partner që është e gatshme të ndihmojë kompanitë, ta bëjë qasjen në këtë treg më të thjeshtë, por edhe më efikase dhe më të suksesshme”, tha Petrovska.

Ajo shtoi se së shpejti një përfaqësues nga vendi ynë do të dërgohet në Agjencinë për Mbështetje dhe Prokurim, i cili do të lehtësojë edhe më shumë hyrjen e kompanive maqedonase në tregun e NATO-s.

Ministrja informoi se çdo vit rritet numri i kompanive që përmes Ministrisë së Mbrojtjes regjistrohen në regjistrin e kompanive që mund të aplikojnë për tenderat e NATO-s. Nëse në vitin 2021 ai numër ishte tetë, në vitin 2023 do të jetë njëzet e një dhe deri më sot gjithsej 44 kompani e kanë këtë mundësi.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se NATO është shumë më tepër se një aleancë politike dhe e sigurisë, ajo përmban edhe një rrjet ekonomik mundësish, shfrytëzimi i të cilit varet në masën më të madhe nga ne.

„Në këtë treg është hapur hapësira që kompanitë vendase të marrin pjesë në procedurat e tenderit. Është një shans për ta për të hyrë dhe për të qenë pjesë e një rrjeti më të gjerë të bashkëpunimit ekonomik dhe partneriteteve tregtare. Kjo do të forcojë kapacitetet e tyre për inovacion, cilësi dhe efikasitet, do të rrisë nivelin e konkurrencës së tyre për tregun evropian prej 500 milionësh”, tha zëvendëskryeministri.

Menaxherja gjenerale e Agjencisë për Mbështetje dhe Prokurim, Stejsi Kamings falënderoi për organizimin e Ditës së Industrisë së NATO-s, e cila, tha ajo, hap mundësi për të folur për mundësitë që ofron Agjencia, si dhe për industrinë në Maqedoninë e Veriut.

„Tashmë kemi shembuj të pjesëmarrjes së disa prej kompanive nga vendi juaj që kanë marrë pjesë me sukses në procedurat e tenderit, veçanërisht në kontrata, por sot kemi një mundësi më të thelluar për të folur për mekanizmat, politikat, proceset dhe mënyrën se si një një numër i madh kompanish nga vendi juaj mund të marrin pjesë në tenderë, pra të jenë konkurruese me kompani të tjera nga vendet e tjera anëtare të NATO-s”, tha Kamings.

Shefja e prokurimeve në Agjencinë e Komunikimeve dhe Informacionit të NATO-s, Xhenifer Apton, tha se NATO planifikon një rritje prej 61% në buxhetin dhe programet globale të financuara bashkërisht me shifra treguese që parashikojnë një rritje mbresëlënëse prej 227% deri në vitin 2030.

„Kjo është një rritje e konsiderueshme për të përmbushur këtë kërkesë në rritje, ne e njohim nevojën për të shfrytëzuar aftësitë e industrisë dhe për të lehtësuar dhënien e rezultateve me shpejtësinë e kërkuar. Është me entuziazëm të madh që unë qëndroj para jush sot me synimin për të frymëzuar industritë tuaja, organizatat jofitimprurëse për të eksploruar mundësitë e panumërta që ofron NATO për punën dhe ekspertizën e tyre të vlefshme”, tha Apton.

 

Për të mbështetur kompanitë në procesin e marrjes së certifikatave të nevojshme për pjesëmarrje në tendera në tregun e NATO-s, Ministria e Mbrojtjes krijoi një Qendër për Mbështetjen e Kompanive. Përmes kësaj Qendre bëhet regjistrimi i operatorëve ekonomikë dhe merret konfirmimi i plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në procedurat e prokurimit për nevojat e NATO-s dhe shteteve anëtare.

Në Ditën e Industrisë së NATO-s marrin pjesë kompanitë nga industria ushqimore, farmaceutike, energjetike, sektori i TI-së dhe të tjerë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO më 30 mars të vitit 2020, 26 vite nga Vendimi i Kuvendit për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike dhe 20 vite pasi më 25 prill të vitit 1999 në Samitin e NATO-s në Uashington u bë zyrtarisht kandidat për anëtarësim.