Prej nesër një pikë e përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Tabanoc – Preshevë
Policia e Maqedonisë së Veriut së bashku me homologët nga Serbia do të organizojnë një pikë të përbashkët kufitare në kalimin kufitar Tabanoc – Preshevë, transmeton Portalb.mk.
“Në kalimin kufitar “Tabanoc – Preshevë, në ora 14:00 do të lëshohet në shfrytëzim sistemi One Stop, sistemi për kontrollin e integruar të përbashkët”, njoftoi Policia e RMV-së.
Nesër pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja ndërmjet ministrit të MPB-së, Pançe Toshkovski, dhe homologut serb, Ivica Daçiq. Përmes kësaj marrëveshje përcaktohen protokollet se si do të kryhet kontrolli gjatë kalimit kufitar.
Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 24 qershor e ka miratuar propozimin për një pikë të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, projekt i njohur edhe si “One Stop Shop”. Për këtë projekt kanë votuar 87 deputetë “për”.
Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshkovski, më 28 maj ka paralajmëruar pika të përbashkëta kufitare edhe në kalimet kufitare me Serbinë dhe Shqipërinë, derisa po përurohej pika e përbashkët kufitare Jazhincë – Glloboçicë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ndryshe, autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato të Maqedonisë së Veriut më 12 prill kanë përuruar vendkalimin e përbashkët kufitar Hani i Elezit-Bllacë. Në këtë ngjarje morëm pjesë të dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Hristian Mickoski. Mickoski tha se kjo pikë kufitare e cila deri vonë është parë si pengesë, tashmë do të jetë lehtësim dhe bashkëpunim më i fuqishëm mes dy vendeve.
- LEXO: U përurua edhe një pikë e përbashkët kufitare me Kosovën, RMV-ja paralajmëroi pika të tilla edhe me Shqipërinë e Serbinë
- LEXO: Më 12 prill fillon “One Stop Shop” në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës
- LEXO: Qytetarët e RMV-së dhe Kosovës do vazhdojnë të presin radhë të gjata në kufi, zvarritet “One Stop Shop”