Kur njeriu gjendet në një vend të huaj, ndihet i hutuar, i humbur në hapësirë, i çorientuar dhe ke nevojë për krah, ndihmë, udhëzues. Detyrohet të pyesë edhe përkundër zhvillimit teknologjik dhe google maps e veglave të tjera. Para do kohe qëndruam në një qytet shqiptar si pjesëmarrës në një konferencë shkencore ndërkombëtare dhe nga hoteli morëm rrugën drejt institucionit ku do të mbahej eventi. “Do ecni në të majtë, pastaj sërish në të majtë, dhe përballë…” Dolëm me dy miqtë dhe sillu e pshtillu, hidh sytë këndej e andej; destinacioni afër dukej sipas teknologjisë, por s’arrinin dot te pika e synuar. Pyesim një njeri: “S’di gjë” – thotë. Më tutje, një tjetër duke u futur në makinë, edhe ai s’ka haber. I treti, edhe ai s’ka informacion për një objekt të tillë. Mbetëm pa tekst. Dhe nga ana tjetër vjen një VW Tiguan; e ndalojmë, edhe ata me sikletin e njëjtë, kanë pyetur njerëz dhe s’e gjejnë dot Fakultetin. Dhe më në fund, pasi ia mësymë një drejtimi, disi, andej e këndej, arrijmë te pikëtakimi i dijes akademike. Në kokë na vërtitetn 1001 mendim, shoqëruar me zemërim, që na u shtua më vonë, pasdite dolëm për t’u ëmbëlsuar. Kamarieri i restoranit ku hëngrëm darkën na sugjeroi një pastiçeri me nam të qytetit. Pyetëm tre-katër persona rrugës. Të gjithë, pa një pa dy, deri në centimetër na e dëftojnë udhën që na çon te lokali gastronomik. “Vazhdo në këtë rrugë, kur të mbërrish te një lokal jeshil, kthe në të djathtë, lako te një shitore fustanash dhe në fund e ke lokalin”. Orientim të detajuar na japin edhe një esnaf dhe një kalimtar rasti. Pas 4 minutash, drejt e te limunada, bakllavaja e cheescake. Ngjashëm si në Shkup, të gjithë e dinë dhe ta tregojnë në çast “Destanin”, “Kosmosin”, “Ohridin”, “Rigarën”, por në i pyetsh për “ITSh”-në, “Logos-A”-në, shtangen…
Dhe temperatura e mendimeve shkon e rritet. Hej Zot, mor Perëndi! Si ka mundësi? Ky milet sa bukur ta shpjegon ushqimoren e fizikusit, e s’ka ide për ushqimoren e mendjes e shpirtit. Domethënë, ende jemi popull i barkut e ngrënies, prioritet e kemi ngopjen, pasionin pas ngrënie-prirjes, fryrjen e barkut. Me sa duket, te ne mbizotëron aftësia që Averroes-i e ka quajtur “fuqi vegjetative” (al-kuvveh en-nebatijjeh), ushqyese, rritëse, riprodhuese, që njeriun e ndan me bimët, segmenti që është përgjegjës për funksionet biologjike të jetës. Pra hala s’kemi arritur ta bëjmë dominant fuqinë racionale (el-kuvve en-nâtika), që është veçoria dalluese e njeriut dhe e shndërron atë qenie të mendjes, që përfshin intelektin praktik që merret me veprimet, etikën dhe jetën shoqërore dhe intelektin teorik që merret me njohjen e së vërtetës, filozofinë dhe shkencën.
Një jetë e përqendruar te ushqimi—ose më gjerësisht, një jetë e ndërtuar rreth gastronomisë dhe përvojave shqisore—i jep përparësi botës së menjëhershme fizike. Ajo e trajton ushqimin jo thjesht si një lëndë djegëse për trupin, por si art, kulturë, ngushëllim dhe si mjetin kryesor për të arritur gëzimin. E ky gëzim e lë njeriun në nivelet e ulëta të shkallares së virtyteve dhe vlerave. Pa ngrënë dhe pa pirë s’bën, por pa dije s’je askushi në garën qytetërimore.
Në rastin e institucionit arsimor të panjohur për qytetarët brenda një qyteti, fajin mund ta kenë edhe vetë shkollarët që nuk kanë arritur ta afirmojnë universitetin brenda hapësirës urbane. Pra ata s’ia kanë dalë t’i bëjnë marketing të suksesshëm institucionit të tyre përmes gjallnisë, aktiviteteve, ngjarjeve të ndryshme që do t’i jepnin emër e nam këtij entiteti. Mbyllja brenda katër mureve dhe akademizimi intern janë të dëmshëm për majën e institucionit arsimor-shkencor. Sociabiliteti nuk është tipik vetëm për njeriun si individ por edhe për organizmat kolektivë, organizatat shoqërore që frymojnë brenda një konteksti të caktuar.
Si përfundim, mund të themi se si komunitet më tepër e vëmë në veprim potencialin biologjik para-kognitiv (pre-cognitive), sesa atë të mendimit, arsyetimit, abstraksionit dhe njohjes intelektuale. Sot jetojmë në një fazë historike kur ne target kryesor i kemi rstorantet e hotelet, turizmin, në veçanti e preferojmë atë ultra all inclusive. Shprehja popullore “bukë e kripë e zemër”, ka mbetur si pjesë etno-antropologjisë sonë; hamë derisa të stërngopemi, barkun e kemi agjendë. Sot gara është për degustim, dekorim ushqimor, fruta deti, sushi, kaviar… Nëse duam ngritje të mirëfilltë duhet t’i shpëtojmë kompleksit për të cilin flet Mehmet Akif Pejani, “fjalëshumë e barkgjerë”. Karnizmi (ideologjia e detyrimit për të ngrënë mish) e hedonizmi (kënaqësia është e mira supreme) ofrojnë ëndje e shijim, por kënaqësia e vërtetë është ajo e mendjes, zemrës. Në gjuhën angleze ekziston një term interesant, belly worshippers (adhuruesit e barkut), një metaforë e fuqishme që përdoret në letërsi, filozofi, teologji dhe sociologji për të përshkruar njerëzit, jeta, fokusi dhe zgjedhjet e të cilëve udhëhiqen tërësisht nga dëshirat fizike, komoditeti material dhe kënaqësia shqisore, në vend të synimeve më të larta intelektuale, morale apo shpirtërore.
Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë. Po, ama njeriu dallon nga krijesat e tjera në saje të mendjes që ka. Është koha e fundit të bëjmë hapin nga faza e popullit të barkut në atë të mendjes, arsyes.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.