Poliklinika e Sarajit sot u vendos në funksion, do të ofrojë shërbime për rreth 45 mijë banorë

Poliklinika e Sarajit , sot u vendos në funksion me 26 punonjës shëndetësor dhe do disponojë me shërbime shëndetësore për kujdes shëndetësor parandalues dhe kujdes shëndetësor specialisto-konsultativ. Poliklinika është e pajisur me  laborator biokimik, kabinet të diagnostikimit me rreze X, një kabinet ORL dhe një kabinet dermatovenerologjik. Investimi kap shifrën e 1,3 milion eurove, shkruan Portalb.mk. 

Në hapjen e Poliklinikës përveç ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti morën pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Poliklinika e Sarajit do të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore të Shkupit dhe janë siguruar 26 punonjës shëndetësor nga profile të ndryshme. Sipas kryeministrit të RMV-së, Dimitar Kovaçevski, do të nevojiten edhe 26 punësime shtesë.

Poliklinika e Sarajit do të shërbejë për rreth 45 mijë banorë nga vendbanimet e  Bojanës, Matkës, Kopanicës, Çajlanit, Bukoviqit, Kondovës, Lubinit, Radushës, Shishevs, Svilarës së Poshtme dhe Svilaren së Sipërme , Gërçecit, Krushopekut, Laskarcës e të tjera.

“Poliklinika e re do të jetë pjesë e Shtëpisë së Shëndetit – Shkup dhe në këtë mënyrë do të kontribuojë në kujdesin shëndetësor edhe më efektiv të popullatës në fushën e kujdesit parësor shëndetësor. Pra, në të do të ofrohen shërbime shëndetësore për kujdes shëndetësor parandalues, përkatësisht do të funksionojnë qendrat e vaksinimit të fëmijëve të moshës parashkollore dhe shkollore me stomatologji parandaluese për fëmijë. Krahas shërbimeve parandaluese, Poliklinika do të ofrojë edhe kujdes shëndetësor specialisto-konsultativ. Të pajisura janë, laboratori biokimik, kabineti i diagnostikimit me rreze X, një kabinet ORL dhe një kabinet dermatovenerologjik.”, tha ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Kovaçevski tha se poliklinika e Sarajit lehtëson qasjen e qytetarëve për shërbime shëndetësore.

“Pas 50 viteve, sot në mëngjes u konsultova me deputetin e Sarajit, me ish-kryetarin e Karposhit, sepse kjo komunë dikur ka qenë pjesë e Karposhit. Që atëherë eksiston nevoja e qytetarëve dhe kërkesa e tyre të bëhet Poliklinika në Sarajit dhe sot për kënaqësinë e të gjithëve kemi një nga poliklinikat më moderne dhe më të bukura, do të thoja në vend dhe e merituar nga qytetarët që tani më nuk do të duhet të udhëtojnë në Gjorçe Petrov, Karposh e kështu me radhë që të marrin shërbime shëndetësore. Për herë të parë banorët e Sarajit marrin kujdes parësor shëndetësor në vendbanimin e tyre. Me poliklinikën e re, lehtësohet qasja në shërbime shëndetësore të cilat do të jenë në nivelin më të lartë cilësor sepse edhe vetë mediat kanë mundur të sigurohen se përveç se është një objekt i ri, bëhet fjalë edhe për komplet pajisje të reja që do të përdoren në të gjitha repartet, po ashtu edhe personeli shëndetësor që do të punojë do të jenë me përvojë por edhe më të rinj.”, tha Kovaçevski.

Hapja e Poliklinikës për Portalb.mk u paralajmërua edhe nga Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, Vullnet Selimi, i cili në fund të muajit dhjetor tha se Poliklinika e Sarajit do të vendoset në funksion më së voni më 10 janar. Ndërkaq, hapja e poliklinikës u paralajmërua edhe nga Ministria e Shëndetësisë më 6 janar.

Poliklinika u premtua me vite

Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht për Poliklinikën e Sarajit, që në shkurt të vitit 2019, në shkurt të vitit 2019 është prezantuar projekti për ndërtimin e Poliklinikës së Sarajit dhe atëherë Ministria e Shëndetësisë ndau 40 milionë denarë nga buxheti dhe që atëherë ishte premtuar se në verën e vitit 2019 do të fillonin ndërtimet.

Ndërtimi i spitalit ishte paraparë të mbarojë në shkurt të vitit 2022, por punimet në terren e kanë zgjatur deri në shtator ku pastaj është pritur nga Ministria e Shëndetësisë të bëjë furnizim me mjete.

Në maj të vitit 2023 edhe pse objekti ka qenë i përfunduar serish ndërtime ka pasur përreth oborrit dhe hapësirës së poliklinikës.

Në nëntor të vitit 2023, ministri i Shëndetsisë tha se Poliklinika e Sarajit është përfunduar mirëpo ende nuk kishin miratim nga Ministria e Financave për punësim të personelit mjekësor.

Në fund të muajit nëntor, 2023, Ministria e Financave për Portalb.mk konfirmoi miratimin e punonjësve mjekësor. Ministria e Shëndetësisë gjithashtu konfirmoi dorëzimin e dokumentave te Shtëpia e Shëndetit –  Shkup e cila është përgjegjëse për punësimet.

Në fillim të muajit dhjetor, 2023, Shtëpia e Shëndetit – Shkup konfirmoi se ka punësuar 26 punonjës në Poliklinikën e Sarajit dhe se pritej që gjatë muajit dhjetor të vendosej në funksion poliklinika.