Policia e zbardhi rastin e djeshëm ku u sulmuan dy të rinj në Tetovë
Në lidhje me rastin e djeshëm ku janë sulmuar dy të rinj në Tetovë, Policia e Maqedonisë së Veriut sot ka njoftuar se ka zbardhur rastin, duke i arrestuar sulmuesit, transmeton Portalb.mk.
“Më 3 shtator në ora 22:30, policia ka arrestuar N.Ç. (20) nga Tetova, më 4 shtator në ora 12:10 ka arrestuar D.D. (23) nga fshati Radiovc, ndërsa është kryer bisedë informative me 16 të rinj”, sqaroi Policia, duke paralajmëruar padi ndaj tyre.
Policia sqaroi se këto dyshohen se në grup dje rreth orës 18:00 në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë e kanë sulmuar 15 dhe 17 vjeçarin, të cilët dilnin nga shkolla e mesme.
Ndryshe, mbrëmjen e djeshme (3 shtator) një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime trupore, për çka ishin dërguar edhe në Spitalin Klinik të Tetovës.
Në fund të muaji gusht në Manastir, disa persona të panjohur rreth 20 vjeç iu afruan një personi për t’i zhveshur bluzën që kishte veshur, e cila kishte të vizatuar një kokë shqiponje në pjesën e përparme dhe të pasme.
Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.