Dhuna ndëretnike godet Tetovën: Nxënësit shqiptarë pre e sulmit të tifozëve maqedonas

Mbrëmjen e djeshme një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime trupore, raporton Portalb.mk

Dy nxënësit e sulmuar, në një prononcim për portalin TetovaSot theksuan se janë sulmuar nga rreth 20 tifozë të “Teteksit”, ata thanë se fillimisht ishin sharë në gjuhën maqedonase dhe më pas i kanë rrahur. 

“Shajshin, ne ecnim në punën tonë, e ktheva kokën ta shoh kush është mos është ndonjë shok i imi, eca pastaj, pastaj erdhën pas nesh, shumë ishin”, tha njëri nxënës. 

Pas sulmit ata u dërguan në Spitalin e Tetovës ku janë konstatuar lëndimet. 

Nga Spitali i Tetovës në një prononcim për Portalb.mk theksuan se rasti ishe i paraqitur në polici dhe se bëhet fjalë për dy të rinj 17 dhe 15 vjeç të cilët kanë pasur lëndime në fytyrë.

“17 vjeçari është me frakturë të eshtrave të hundës, ndërsa 15 vjeçari ka plasaritje të eshtrave të hundës, lëndime të konstatuara nga radiologu, u bëmë impoilizim të hundës te pacienti me frakturë, i shkruam terapi dhe u lëshuan në trajtim shtëpiak”, thanë nga Spitali i Tetovës.

Nga Policia e Tetovës konfirmuan për Portalb.mk se rasti është regjistruar dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë.

Ndërkohë informuan se me detaje më të hollësishme do dalin brenda ditës.

Njëri nga prindërit e fëmijëve tha se mbrëmë rreth orës 6 janë sulmuar fëmijët prej grupit Vojvodat.

“Ishim në polici, fëmijët janë të lënduar të dy, të dy nxënës shkolle. Nuk është i rrahur vetëm me grushta, është i rahur edhe me diçka tjetër, kanë përdorur ndoshta edhe shkopinj…. Është shumë shqetësuese për prindërit, organet e rendit ta zbardhin këtë rast… dikush duhet të jep përgjegjësi”, tha prindi.

Në ndërkohë, kanë reaguar partitë politike, ku kërkojnë që ky rast të zbardhet menjëherë. 

Nga BDI thanë se ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend. 

“Kërkojmë me urgjencë nga organet e rendit dhe drejtësisë që brenda orëve të ardhshme të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij sulmi. Çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike. U bëjmë thirrje të rinjve shqiptarë në Tetovë të mos bien pre e provokimeve”, thanë nga BDI. 

Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se këto skena të dhimbshme po përsëriten edhe sot, të nxitura nga një klimë politike gjithnjë e më shumë antishqiptare.

“Bëjmë thirrje urgjente autoriteteve policore dhe gjyqësore që ky rast të zbardhet sa më shpejt, autorët të gjenden dhe të marrin dënimin maksimal.. Presim që autorët e këtij akti të dalin para drejtësisë pa vonesë. Në të kundërt, çdo dyshim i yni do të jetë i arsyeshëm se vetë politika qeveritare po i nxit këto incidente të dhunshme dhe të përgjakshme.”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët. 

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se dënimi moral nuk mjafton për këtë rast.

“Prandaj mbrëmë Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë reagoi shpejt dhe qartë, duke bërë të ditur se siguria e nxënësve është e paprekshme. Kushdo që e cenon atë, do të përballet me ligjin. I bëjmë thirrje prokurorisë të merr masa serioze, që këto raste mos të përsëriten më kurrë”, tha Kasami.

Ndryshe, pak ditë më parë, në Manastir, disa persona të panjohur rreth 20 vjeç iu afruan një personi për t’i zhveshur bluzën që kishte veshur, e cila kishte të vizatuar një kokë shqiponje në pjesën e përparme dhe të pasme.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.