Policia e Maqedonisë së Veriut me njoftim të ri në lidhje me projektin “Qyteti i Sigurt”
Projekti “Qyteti i Sigurt” do të testohet dhe kalibrohet në pjesën e fundit të muajit, duke llogaritur që nga 1 shkurti pritet zbatimi zyrtar i saj, transmeton Portalb.mk.
“Në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, në periudhën nga 20.01. (e martë) deri më 31.01. (e shtunë) do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.
Policia sqaroi që testimet do të bëhen çdo ditë prej orës 08:00 deri në ora 20:00.
“Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura”, raportoi Policia, duke kërkuar nga qytetarët të respektojnë kufizimet.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski më 14 janar deklaroi se është gjetur një lloj kompromisi për Ligjin për Kundërvajtjet, në mënyrë që sistemi “Qyteti i Sigurt” të vihet në funksion nga 1 shkurti, ashtu siç edhe ishte planifikuar.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.