Mickoski: Gjetëm kompromis për Ligjin për Kundërvajtje që ta vëmë në funksion “Safe Cityn” më 1 shkurt

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se është gjetur një lloj kompromisi për Ligjin për Kundërvajtjet, në mënyrë që sistemi “Qyteti i Sigurt” të vihet në funksion nga 1 shkurti, ashtu siç edhe ishte planifikuar, transmeton Portalb.mk.

“Ajo që për mua është momentalisht akute dhe që duhet të gjendet zgjidhje shpejt dhe mendoj që sot në mbledhje arritëm të gjejmë kompromis është Ligji për Kundërvajtje që të mundet ‘Safe City’ apo ‘Qyteti i Sigurt’ të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti ashtu siç ishte paralajmëruar. Theksoj se ky ligj është 2/3, për të njëjtin nuk kemi nevojë për shumicë Badenteri. Mendosj se të gjithë pjesëmarrësit u pajtuam”, tha Mickoski.

Ndryshe sot u mbajt takimi i liderëve. Kryeministri u shoqërua nga koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski. Në takim morën pjesë partnerët e koalicionit në Qeveri, Sekretari i Përgjithshëm i ZNAM-it dhe ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nga koalicioni “VLEN”. Nga grupet parlamentare të opozitës ishin të pranishëm liderët e së Majtës dhe BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili refuzoi ftesën e Mickoskit, nuk erdhi në takim.

Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.