Ndryshimet ligjore që vënë në funksion “Safe City”, Mickoski: Akoma nuk i kemi bërë matematikat

Autoritetet policore nuk kanë përgatitur ende një raport të detajuar mbi shkeljet që automjetet shtetërore kanë kryer dhe që janë evidentuar nga sistemi “Safe City”. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, theksoi se të dhënat fillestare tregojnë se përdorimi i makinave zyrtare shoqërohet me një nivel shqetësues shkeljesh në trafik, edhe pse deri tani ato janë trajtuar vetëm si masa paralajmëruese. Ai vlerësoi se fushata për ndërgjegjësimin dhe trajnimin e drejtuesve të mjeteve po fillon të reflektohet në përmirësimin e sjelljes në rrugë, transmeton Portalb.mk.

“Sa gjoba janë shqiptuar për shkelje në komunikacion ndaj veturave zyrtare nga sistemi i mençur, por aq sa janë shqiptuar për veturat jo zyrtare. Përkatësisht, gjoba nuk ka për momentin por ka vërejtje. Në këtë moment nuk kam të dhëna se sa vërejtje janë dhënë për veturat zyrtare dhe sa për vetura private. Por një gjë ta dini, sistemi e regjistron çdo një kundërvajtje, pavarësisht se nga kush është bërë”, deklaroi Toshkovski.

Ndërsa ministri Toshkovski shpreh optimizëm se sistemi mund të aktivizohet nga 1 shkurti, kryeministri Hristijan Mickoski tregohet më i rezervuar. I pyetur nëse janë siguruar 80 votat e domosdoshme për miratimin e ndryshimeve ligjore që rregullojnë kundërvajtjet, ai u shpreh se procesi ende nuk është përmbyllur, duke theksuar se llogaritjet politike nuk janë bërë ende plotësisht.

“Akoma nuk i kemi bërë matematikat”, u përgjigj shkurt Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Kuvendi javën e kaluar miratoi katër nga gjashtë ligjet e nevojshme për sistemin inteligjent Safe City. Ka mbetur pa miratuar Kodi i ri Penal dhe propozimi-Ligji për kundërvajtjes, zgjidhje ligjore sistematike për të cilin nevojiten 80 vota në Kuvend. Aktualisht shumica parlamentare nuk i ka votat, ndërsa partitë opozitare në parim janë deklaruar se nuk e mbështesin. Safe City ishte planifikuar të niste me punë më 1 janar të vitit 2026. Për shkak të reagimeve në opinion, zbatimi i tij në praktikë dhe me fuqi juridike u shty për një muaj. Por edhe kjo datë mbetet vetëm parashikim pasi pa miratimin e ligjit kryesorë, atij për kundërvajtje sistemi Safe City nuk mund të hyjë në funksion.

Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.