Aksident masiv në Zvicër, përplasen 37 automjete, 6 të plagosur

Një aksident zinxhir është regjistruar këtë të premte në autostradën A1 në Zvicër, në afërsi të Kemptthalit, në Zyrih. Përplasja zinxhirore ka përfshirë gjithsej 37 automjete dhe ka shkaktuar bllokimin e rrugës në drejtim të St. Gallenit, mes Effretikonit dhe Winterthur-Toss, transmeton Euronews.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat zvicerane, në ngjarje janë përfshirë 23 makina, 8 kamionë dhe 6 furgonë.

Si pasojë e aksidentit, dhjetë persona janë dërguar në spital për trajtim mjekësor. Gjashtë prej tyre kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa katër të tjerë lëndime të mëdha.

Dyshohet paraprakisht se shkak i kësaj përplasjeje zinxhirorë ka qenë ngrica në rrugë, ndërsa qarkullimi në atë segment të autostradës është ndërprerë.