Platforma e organizatave civile kundër korrupsionit: Dënojmë partizimin në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Antikorrupsionit

Platforma e organizatave civile për luftën kundër korrupsionit dënon ashpër partizimin dhe manipulimin e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Në të njëjtën kohë, Platforma mbështet plotësisht Snezhana Kamilovska Tërpovskën, e cila, si anëtare e Komisionit për selektim për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, shprehu mendim të veçantë nga Komisioni për selektim, për shkak të votimin e njëanshëm dhe të orkestruar të anëtarëve të tjerë të Komisionit, transmeton Portalb.mk.

Si përfaqësuese e sektorit të shoqërisë civile në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit, Snezhana Kamilovska Tërpovska tregoi një perceptim krejtësisht të ndryshëm për kandidatët e përzgjedhur, gjë që tregon qartë qëndrimin e organizatave të shoqërisë civile për përbërjen e ardhshme. Në të njëjtën kohë, është për t’u habitur se si pjesa tjetër e përfaqësuesve të Komisionit Përzgjedhës gjeti kompromis për kandidatët e përzgjedhur pavarësisht intervistave të dobëta, refuzimit të kandidatëve për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtpërdrejta për kushtet sociale si procesi i kapjes së shtetit, rastet e korrupsionit të lartë, që tashmë janë objekt i punës së KShPK-së aktuale, si dhe janë pjesë e situatave të konstatuara nga Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023, çështje që kanë të bëjnë me lidhjet politike dhe gjyqësore, tregtimin e ndikimit, lobimin, etj. Gjithashtu, kandidatët që treguan njohuri të shkëlqyera të fushës, gatishmëri për përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të qartë dhe me kompetenca të shkëlqyera, nuk u vlerësuan mirë nga anëtarët e tjerë, gjë që ua pamundësoi luftën objektive për postin e kryetarit dhe anëtarit të KShPK-së.

“Platforma e organizatave civile për luftën kundër korrupsionit vlerëson se ndikimet partiake në zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të ndikojnë negativisht në objektivitetin dhe paanshmërinë e Komisionit në zbatimin e kompetencave serioze ligjore që ka si një nga aktorët kryesorë në luftën kundër korrupsionit në vend”, thonë nga Platforma.

Kujtojmë se mandati i përbërjes aktuale të Komisionit Kundër Korrupsionit është deri më 7 shkurt 2024, kur edhe përbërja e re do të nisë punën.

Në përbërjen e fundit të KShPK-së kryetare ishte Biljana Ivanovska, ndërsa anëtarë ishin Vladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikolovska, Nuri Bajrami, Goran Tërpenoski dhe Semshi Sallai.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.