Mësohet përbërja e re e Komisionit Antikorrupsion, dominojnë revizorët dhe të punësuarit në KShPK

Cveta Ristovska, Tatjana Dimitrovska, Sofia Spasova Medarska, Servet Demiri, Besnik Xhemaili, Biljana Karakashova Shulev dhe Zoran Bogoevski janë anëtarët e përbërjes së re të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, mëson Meta.mk. Gjatë ditës së djeshme, përbërja e komisionit shënonte 42 kandidatët e regjistruar dhe deri mbrëmë vonë u konstatua se këta shtatë kandidatë morën notat më të larta, transmeton Portalb.mk.

Tatjana Dimitrovska, ndihmëse e kryerevizorit shtetëror – udhëheqëse e departamentit të autorizuar për revizion, sipas pikëve të marra, do të jetë kryetare e re e Komisionit Kundër Korrupsionit.

Sipas asaj që mund të konkludohet fillimisht, shumica e përbërjes së re të KShPK-së do të përbëhet nga auditorë – tre nga shtatë anëtarët vijnë nga Enti Shtetëror i Auditimit. Bëhet fjalë për Zoran Bogoevskin, Cveta Ristovskën (udhëheqëse e sektorit për revizion) dhe Tatjana Dimitrovskën.

Dy nga anëtarët tashmë janë të punësuar në Komisionin Kundër Korrupsionit – Biljana Karakashova Shulev (këshilltare për monitorimin e korrupsionit në prokurimet publike) dhe Besnik Xhemaili (këshilltar për inspektimin antikorrupsion të legjislacionit në lidhje me aktivitetet me interes publik dhe zhvillim të qëndrueshëm).

Servet Demiri vjen nga Agjencia e Investimeve, ndërsa paraparakisht ka punuar në një trup auditimi për IPA. E vetmja avokate, përkatësisht gjyqtare në komision është gjyqtarja nga Gjykata Themelore Civile Shkup, Sofia Spasova Medarska, bashkëshortja e avokatit Filip Medarski.

Anëtarët e komisionit që do të shënojë kandidatët sot ishin Eli Panova nga VMRO-DPMNE, Berat Ajdari nga BDI, Fanica Nikoloska nga LSDM dhe Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Demokratike. Përveç tyre, në komision ishin Jovan Andonovski, zëvendës i Avokatit të Popullit, Nikola Dodov dhe Snezhana Kamilovska Tërpovska nga Këshilli për bashkëpunim dhe zhvillim të sektorit civil.

Përzgjedhja e këtij komisioni tani do të shkojë para komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime dhe më pas do të votohet në seancën plenare të Kuvendit.

Ajo që ra në sy gjatë këtyre zgjedhjeve është se biografitë e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Kundër Korrupsionit u fshehën nga publiku, vetëm anëtarët e komisionit që vendosin për përzgjedhjen e tyre dhe anëtarët që zhvilluan intervistat biografi në formë të shtypur, për shkak të pretendimit të “të dhënave personale”.

Mandati i përbërjes aktuale të Komisionit Kundër Korrupsionit është deri më 7 shkurt 2024, kur edhe përbërja e re do të nisë punën.

Në përbërjen e fundit të KShPK-së kryetare ishte Biljana Ivanovska, ndërsa anëtarë ishin Vladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikolovska, Nuri Bajrami, Goran Tërpenoski dhe Semshi Sallai.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.