Anëtarja e Komisionit për selektim: Votim jo objektiv dhe i orkestruar për përbërjen e re të KShPK-së

Pas publikimit të rang-listës së kandidatëve për përbërjen e radhës të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), anëtarja e Komisionit për selektim për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Kundër Korrupsion Snezhana Kamilovska-Tërpovska bën me dije se ka mendim të ndryshëm në lidhje me listën e përcaktuar në të cilën, sipas saj, vë në dukje votim të njëanshëm dhe të orkestruar nga anëtarët e tjerë të Komisionit, transmeton Portalb.mk.

Anëtarë të rinj të KShPK-së janë propozuar auditorët Tatjana Dimitrovska, Cveta Ristovska dhe Zoran Bogoevski, punonjës të Komisionit Kundër Korrupsionit Biljana Karakashova-Shulev dhe Besnik Xhemaili, gjyqtarja Sofia Spasova-Medarska dhe Servet Demiri nga revizioni i ndihmës së para-anëtarësimit për BE-në.

Dimitrovska do të jetë kryteare e Antikorupsionit, sipas listës së përcaktuar, në pesë vitet e ardhshme.

Pas një interviste publike treditore, ata janë votuar nga komisioni përzgjedhës i KShPK-së, ndërsa mbrëmë para mesnate është publikuar ranglista me pikët e tyre. Për t’u anëtarësuar në KShPK, kandidatët duhet të marrin mbështetjen e deputetëve në seancë plenare.

“Nga ranglista e treguar shihet se si përfaqësues i sektorit civil në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit kam një perceptim krejtësisht të ndryshëm për kandidatët e zgjedhur, gjë që tregon qartë qëndrimin e organizatave të shoqërisë civile në lidhje me përbërjen e ardhshme”, thuhet në letrën Kamilovska-Tërpovska.

Ajo thotë në të se është e habitshme se si përfaqësuesit e tjerë të Komisionit për selektim “gjetën kompromis pikërisht dhe vetëm për këta kandidatë, pavarësisht intervistave të dobëta, refuzimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtpërdrejta për situata sociale, si procesi i kapjes së shtetit, rastete korrupsionit të lartë, që tashmë janë objekt i punës së KShPK-së aktuale, si dhe janë pjesë e situatave të konstatuara nga Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023, çështje që lidhen me lidhjet politike dhe gjyqësore, tregtimin e ndikimit, lobimin, dhe ngjashëm. Përveç kësaj, kandidatët që treguan njohuri të shkëlqyera të fushës, gatishmëri për të dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të qartë dhe me kompetenca të shkëlqyera, nuk u vlerësuan mirë nga anëtarët e tjerë, gjë që i pengoi ata të luftonin për postin e kryetarit dhe anëtarit të KShPK-së” , thotë Kamilovska -Tërpovska.

Ndryshe, ajo shprehet se letra drejtuar mediave është i vetmi mekanizëm ligjor për të shprehur publikisht opinionin e saj.

“Sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave dhe vendimit për publikimin e shpalljes publike për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, nuk ka mundësi të vendoset një mendim i veçantë për ranglistën e përcaktuar nga anëtarët e Komisionit për selektim në procesverbalet e intervistave të zhvilluara, prandaj ky është i vetmi mekanizëm ligjor me të cilin dua të shpreh mendimin për votimin e njëanshëm dhe të orkestruar të anëtarëve të tjerë të Komisionit për selektim”, deklaron ajo.

Njëkohësisht, anëtarja e Komisionit për selektim kërkon që opinioni i saj i veçantë të lexohet publikisht në seancën e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime kur bëhet ranglista e kandidatëve për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të përcaktohet, si dhe në seancën plenare ku do të votohet përbërja e re e Komisionit Antikorrupsion.

Për mendimin e ndarë Kamilovska-Tërpovska e ka njoftuar komisionin kompetent parlamentar në mënyrë elektronike, dhe letra e saj do t’i dorëzohet arkivit të Kuvendit sapo të fillojë punën.

Kryetarja aktuale e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Biljana Ivanovska, dje vuri në dukje se në intervista për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KSHPK-së kanë aplikuar shumë persona të ekspozuar politik, gjë që, siç thotë ajo, nuk ka ndodhur me përbërjen aktuale të Komisionit Antikorrupsion.

Ajo tha se nuk i njeh të gjithë personat që kanë aplikuar në konkurs, por shtoi se Komisioni për Selektimin e Kandidatëve pranë Komisionit Parlamentar të Zgjedhjeve dhe Emërimeve nuk do të pësojë ndikime politike dhe të zgjedhë personazhe të tillë.

Kujtojmë se mandati i përbërjes aktuale të Komisionit Kundër Korrupsionit është deri më 7 shkurt 2024, kur edhe përbërja e re do të nisë punën.

Në përbërjen e fundit të KShPK-së kryetare ishte Biljana Ivanovska, ndërsa anëtarë ishin Vladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikolovska, Nuri Bajrami, Goran Tërpenoski dhe Semshi Sallai.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.