Gjykatës të shkarkuar dhe aktual, avokatë dhe të punësuar në institucione shtetërore hyjnë në garë për antikorrupsionerët e rinj të RMV-së

Prej sot, deri të shtunën do të zgjatë verifikimi administrativ, gjegjësisht intervistimi i 42 personave të cilët janë paraqitur në shpalljen për anëtarë të rinj të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsuionit (KSHPK). Në listën e të paraqiturve, siç analizoi Meta.mk, gjenden dy gjykatës të shkarkuar dhe dy gjykatës aktualë, avokatë, bashkëpunëtorë në institucione shtetërore dhe publike, por edhe një numër i madh i personave të cilët nuk janë të njohur për opinionin më të gjerë. Për dallim prej janarit të vitit 2019-të, kur u zgjodh përbërja aktuale e KSHPK-së, tani ka më pak kandidatë të paraqitur se sa para thuajse pesë vitesh, kur rreth 80 persona pretenduan të bëhen pjesë e përbërjes së rre antikorruptive, transmeton Portalb.mk.

Intervistimi i kandidatëve për përbërjen e re të KSHPK-së do të mbahet në Kuvend, ndërkaq një intervistë mund të zgjatë më së shumti 30 minuta. Nga kandidatët, në konkurs është kërkuar që të jenë shtetas të RMV-së, të kenë të mbaruar Fakultetin Juridik ose arsimim nga fusha e shkencave politike, komunikuese ose ekonomike. Në lidhje me kriteret profesionale duhet të kenë së paku 10 vjet përvojë, tetë prej të cilave në fushën e luftës kundër korrupsionit, qeverisje të mirë dhe sundim të së drejtës. Antikorrupsionerë nuk mund të jenë ata që në dhjetë vitet e fundit kanë qenë deputetë, anëtarë të Qeverisë, donatorë të partive politike ose kanë kryer funksione partiake.

Në shpallje nuk mund të paraqiten edhe ata që deri më tani kanë qenë anëtarë ose kryetar i komisionit, që domethënë se komisioni do të jetë i përbërë prej anëtarëve krejtësisht të rinj.

Cilët janë njerëzit të cilët pretendojnë të jenë antikorrupsionerët e rinj?

Në konkursin e shpallur nga Kuvendi janë paraqitur 57 kandidatë, për 15 prej të cilëve është konstatuar se nuk kanë dokumentacion të plotë ose arsimim përkatës.

Për antikorrupsionere është paraqitur Sofija Spasova Medarska, gjykatëse nga Gjykata Civile e Shkupit e cila është dhe bashkëshorte e avokatit Filip Medarski. Për këtë vend pretendon edhe Sllavica Andreevska, gjykatëse në Gjykatën Penale të Shkupit, e cila para ca kohësh nuk u zgjodh gjykatëse në Gjykatën e Apelit nga ana e Këshillit Gjyqësor, ndërkaq së shpejti duhet të shkojë në pension.

Në listë ka edhe dy ish gjykatëse. Maja Mihaillova ishte kandidat edhe për përbërjen e re të Komisionit të Antikorrupsionit, në vitin 2019-të. Ajo u shkarkua nga pozita e gjyqtares në vitin 2002, ndërkaq më pas u zgjodh kryetare e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike. Në konkurs është paraqitur edhe Tatjana Mihajllova, e cila në vitin 2021 u shkarkua nga Këshilli Gjyqësor për punë joprofesionale dhe jopërgjegjëse.

Përveç tyre, për kryetar të Antikorrupsionit është kandiduar edhe Boris Kondarko, anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ish deputet.

Në konkurs është paraqitur edhe avokatët Suzana JoshevskaAtanasovska dhe Kimo Çavdar. Në listë mund të shihet edhe kolumnisti dhe gazetari Daut Dauti i cili ishte edhe anëtar në Komisionin për Lustrim, më tej Magdalena Çizhbanoska Vangellov, ka punuar në Entit Shtetëror të Revizionit, por edhe të punësuar Antokorrupsion si Biljana Karakashova Shulev.

IRL, në ndërkohë ka hulumtuar edhe disa kandidatura tjera.

Berat Dehari, është kandidati për anëtar të Antikorrupsionit, i cili është i afërt me BDI-në. Në moshën 24-vjeçare është punësuar në Qeveri, më pas ka punuar si shef i Kabinetit të ministrit të Drejtësisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Mihajllo Manevski. Ka qenë dhe inspektor në Inspektoratin e Ekonomisë, ka qenë dhe zëvendësdrejtor i Policisë Financiare dhe zëvendësdrejtor në Pyjet Nacionale. Në profilin e tij në Facebok ai shpesh shpërndan përmbajtje me zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Në vitin 2021, Dehari ka qenë pjesë e shtabit lokal zgjedhor, të cilin BDI e ka formuar në Gostivar.

Të njëjtin vit, Dehari në rrjetin social “Facebok” ka shpërndarë status në të cilin shkruan “Era fitore po vjen …”. Në status me hashtag i ka shkruar inicialet e Artan Grubit, i cili pasi Antikorrupsioni filloi t’i hetojë funksionarët e BDI-së, shprehu dyshim në kapacitetet e përbërjes së Antikorrupsionit. Grubi publikisht theksonte se anëtarët e Antikorrupsionit janë të paaftë dhe ka theksuar se pret ndonjë përbërje të re që të tregojë ndonjë rezultat.

Në lidhje me këtë, IRL e ka kontaktuar Deharin, i cili ka thënë: Shteti është i vogël dhe fotografi gjenden me cilindo, ndërkaq miqësitë janë të pakufishme. Kauza shqiptare është e madhe, gazetare e nderuar”.

“Unë personalisht kam vërejtje edhe për mediat. Nuk do të thotë se ajo është për ndonjë shtëpi informative, por kam disa njohuri të cilat janë shqetësuese”, ka theksuar Dehari.

Sipas ligjit, në vitin 2019-të, intervistat e kandidatëve për anëtarë të Antikorrupsionit transmetohen publikisht në kanalin e Kuvendit, ndërkaq ata i pyesin edhe përfaqësuesit e gazetarëve, por edhe shoqatat tjera dhe fondacionet, ASHAM, Avokati i Popullit dhe Konferenca Interuniversitare.

Në përbërjen e fundit të KSHPK-së, kryetar ishte Biljana Ivanovska, ndërkaq anëtarë Vlladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikollovska, Nuri Bajrami, Goran Trpenoski dhe Shemsi Sallai.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, por edhe në raportet paraprake, për punën e komisionit kishte mendime pozitive, edhe pse në vitet e fundit, shpesh lëndën që i ka hapur Antikorrupsionit bëheshin subjekt i mosmarrëveshjeve me organet gjyqësore dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar për trysni ndaj punës së tyre, ndërkaq Prokuroria në një moment e “ngriu” bashjëpunimin me këtë institucion. Mandati i përbërjes aktuale është deri më 7 shkurt 2024.