Zgjedhje publike me biografi sekrete të kandidatëve të rinj të Antikorrupsionit
Biografitë e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit janë sekrete për publikun. Deri në mbrëmjen e sotme Komisioni duhet të kryejë vlerësimin e 42 kandidatëve që aplikuan për kandidatë apo kryetarë të përbërjes së re të KShPK-së, por biografitë e tyre mbetën sekrete për qytetarët. Biografitë e printuara i morën vetëm anëtarët e komisionit që vendos për përzgjedhjen e tyre dhe anëtarët që i bënin intervistat, transmeton Portalb.mk.
Atyre u duhej të nënshkruanin një marrëveshje konfidencialiteti sepse biografitë përmbanin “të dhëna personale”. Mbetet e paqartë se pse këto të dhëna, si numri i vetëm amë i qytetarit, adresa e banimit apo numri i telefonit nuk u fshehën, pra nuk u fshinë dhe pastaj të njëjtat të publikoheshin në mënyrë që publiku të mund të shihte se cilët kandidatë pretendojnë të luftojnë kundër korrupsionit në katër vitet e ardhshme.
Nga ana tjetër intervistimi i kandidatëve, ndërsa në emër të transparencës, u transmetua në kanalin parlamentar ditën e diel dhe dje. Por për këtë transmetim nuk kishte asnjë njoftim, ndërsa kanali parlamentar nuk mund të rishikohet edhe pas transmetimit të programeve, siç është rasti me kanalet e tjera televizive. Për këtë shkak vihet në pikëpyetje se sa përzgjedhja e antikorrupsionerëve të ardhshëm është transparente, apo thjesht fshihet pas perdes së llogaridhënies.
Nuk ka asnjë argument për kufizimin e qasjes të publikut dhe gazetarëve në biografitë (CV) e kandidatëve për anëtarë të KShPK-së. Nuk duhet të pranohet dhe vendoset një praktikë përmes së cilës një e drejtë cenohet nga një e drejtë tjetër. Privatësia vs Qasje e lirë në informacion. Prandaj ekziston një “qasje e pjesshme” me të cilën “fshihen” të dhënat që bëjnë pjesë në përjashtime, nëse në këtë rast në dokumentet për aplikim për anëtarë të KShPK-së ka numra amë të kandidatëve. Por, ku qëndron thelbi që në zgjedhjet e mundësuara publikisht (çështja është që të mos na përsëritet një përbërje e KShPK-së si kjo që e kishim deri më tani, e sipas së cilës prona e ish-kryeministrit të arratisur ishte e paqasshme për publikun “përgjithmonë amin!) biografitë që përmbajnë të dhëna për përcaktimin e përshtatshmërisë ligjore përmes kompetencave të kandidatëve të mos jenë të disponueshme për publikun përmes faqes së internetit?, thotë Dançe Danillovska – Bajdevska, drejtoreshë programore në Fondacionin Metamorfozis.
Anëtarë të komisionit që sot bën vlerësimin e kandidatëve ishin: Eli Panova nga VMRO-DPMNE, Berat Ajdari nga BDI, Fanica Nikolloska nga LSDM dhe Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Demokratike. Krahas këtyre në komision ishin edhe Jovan Andonovski, zëvendës i Avokatit të Popullit, Nikolla Dodov dhe Snezhana Kamillovska Trpovska nga Këshilli për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Sektorit Civil.
Për Meta.mk Andonovski tha se anëtarëve iu është shpjeguar se për shkak të afateve të shkurtra nuk kanë mundur t’i mbrojnë të dhënat e tyre personale, kështu që u është dashur që biografitë e kandidatëve t’i marrin të printuara.
“Ekziston Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sipas atij ligji ka shumë gjëra që bëjnë pjesë në domenin e të dhënave personale, por sa për mua, mendoj se transparenca megjithatë duhet të jetë në nivelin më të lartë”, thotë Andonovski.
Një pjesë e kandidatëve për antikorrupsionerë janë aktivistë partiakë
Duke pasur parasysh se mediat disponojnë vetëm me një listë me emra dhe mbiemra, nga gjithsej 42 kandidatë që aplikuan në konkursin për anëtarë të KShPK-së u njohën vetëm disa figura publike. Pas realizimit të intervistave sot secili prej tyre individualisht do të vlerësohet nga anëtarët e komisionit. Pastaj, pasi të jetë dërguar pranë Komisionit Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, kjo listë do të bëhet publike. Në fund vjen votimi që do të mbahet në seancën plenare të Kuvendit, pas çka do të bëhet e ditur përbërja e re e KShPK-së.
Sipas hulumtimeve tona për kandidatët disa prej tyre janë aktivistë partiakë, gjë që e kanë pranuar edhe vetë gjatë intervistave. Pra, disa prej tyre vetë kanë deklaruar se “nëse partia e tyre fiton zgjedhjet” edhe lufta kundër korrupsionit do të zhvillohet më ashpër.
Siç analizoi paraprakisht Portalb.mk në listën e kandidatëve që kanë aplikuar për përbërjen e re të KShPK-së gjenden dy gjykatëse të shkarkuara dhe dy gjykatëse aktuale, juristë, punonjës të institucioneve publike dhe shtetërore, por edhe një numër i madh personash që nuk janë të njohur për publikun e gjerë. Për dallim nga janari i vitit 2019, kur u zgjodh përbërja aktuale e KShPK-së, tani kanë aplikuar më pak kandidatë, gjegjësisht rreth pesë vite më parë për t’u bërë pjesë e përbërjes së re të KShPK-së aplikuan rreth 80 persona.
Për antikorrupsionere në përbërjen e re ka aplikuar Sofija Spasova Medarska, gjykatëse në Gjykatën Themelore Civile Shkup dhe bashkëshorte e avokatit Filip Medarski. Për këtë pozitë pretendon edhe Sllavica Andreevska, gjykatëse në Gjykatën Themelore Penale, e cila pak kohë më parë nuk u zgjodh gjykatëse në Gjykatën e Apelit nga Këshilli Gjyqësor, e që së shpejti do duhet të pensionohet.
Në listë janë edhe dy ish-gjykatëse. Maja Mallahova ishte kandidate edhe për përbërjen e mëparshme të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në vitin 2019. Ajo u shkarkua nga posti i gjykatëses në vitin 2002, ndërsa më pas u bë kryetare e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Prokurimin Publik. Në konkurs ka aplikuar edhe Tatjana Mihajllova, e cila në vitin 2021 u shkarkua nga Këshilli Gjyqësor për punë joprofesionale dhe të papërgjegjshme. Mehdi Mustafa është këshilltar shtetëror për planifikim strategjik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kariman Avziji është punonjës në Sektorin për Analitikë dhe Statistika të Gjykatave në RMV pranë Këshillit Gjyqësor, ndërsa Servet Demiri vjen nga Agjencia për Investime të Huaja. Berat Dehari është zëvendësdrejtor i Parqeve Kombëtare, i afërt me BDI-në, ndërsa Fikret Zenuni nga Gostivari është punonjës i DAP-it.
Krahas tyre, për postin e kryetarit të KShPK-së ka kandiduar Boris Kondarko, anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe ish-deputet.
Në konkurs kanë aplikuar edhe avokatët Suzana Joshevska – Atanastasovska dhe Kimo Çavdar. Në listë gjendet edhe kollumnisti Daut Dauti, ish-anëtar i Komisionit të Lustracionit, pastaj Magdalena Çizhbanoska Vangellov nga DAP-i, ka edhe punonjës të Entit Shtetëror të Revizionit, por edhe punonjës të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, siç është Biljana Karakashova Shulev.
Mandati i përbërjes aktuale të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit përfundon më 7 shkurt të vitit 2024, kur edhe do fillojë me punë përbërja e re.