Petrovska: Për Armatën e RMV-së do të sigurohen dronë dhe helikopterë

“Dronët janë pjesë e teknologjisë më të fundit që mund të përdoren si për luftë ashtu edhe për mbrojtjen dhe garantimin e mbrojtjes së një vendi. Në Ministrinë e Mbrojtjes është paraqitur analiza nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe po punohet për të saktësuar se çfarë drone, në çfarë mase duhet të prokurohen dhe si do të inkorporohen në sistemin aktual të mbrojtjes, në koordinim me institucionet tjera në vend dhe do të mundohemi që të kemi një përdorim më të gjerë edhe për qëllime civile”, tha ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në TV Sitel, transmeton Portalb.mk.

Ajo shprehu pritjen që deri në fund të vitit ekipi i formuar në Ministrinë e Mbrojtjes të dalë me një propozim konkret për prokurim dhe të jenë objekt prokurimi në periudhën e ardhshme.

“Janë dhuruar 12 helikopterë, pjesa tjetër që është pjesë e flotës sonë është në përdorim dhe nuk do të tjetërsohet në asnjë mënyrë derisa të përfundojë blerja e tetë helikopterëve të rinj transportues dhe, më e rëndësishmja, të dorëzohen në vendin tonë”, tha Petrovska në lidhje me helikopterët e dhuruar Ukrainës.

Sa i përket prokurimit të helikopterëve, gjegjësisht prej nga do të sigurohen ata, Petrovska tha se ekipi përgjegjës për procesin ka kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar ofertat që janë dorëzuar, ndërsa gjatë javës së ardhshme pritet që t’i referohen ministrisë dhe Shtabi i Përgjithshëm, ndërsa me propozim konkret do të paraqitet para Qeverisë.

Ndryshe, dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës në Maqedoninë e Veriut pritet të ndodhë gjatë vitit 2025. Në fund të vitit të kaluar, në vitin 2022, është paguar kësti i parë i prokurimit të këtyre sistemeve, ndërsa pagesat tjera do të bëhen gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025.

Rikujtojmë se deri më tani Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukrainës i janë dhuruar tanke, pajisje ushtarake, si dhe 12 helikopterë Mi-24.