34 kadetë nisën rrugëtimin në Akademinë Ushtarake, Misajllovski: Bëhuni ekip, forca qëndron te uniteti dhe besimi

“Sot është një nga ato ditë që mbahen mend gjatë gjithë jetës. Një ditë kur, me krenari, para të gjithë neve, familjeve tuaja dhe atdheut, dhatë betimin me të cilin morët përsipër një nga përgjegjësitë më të mëdha që mund të marrë një i ri, atë të shërbimit ndaj atdheut”, tha ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, i cili sot foli në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski” me rastin e betimit solemn të kadetëve të gjeneratës së 30-të, transmeton Portalb.mk.

Në ceremoninë ku morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, përfaqësues të trupit ushtarak-diplomatik, si dhe prindërit dhe familjarët e kadetëve, ministri Misajllovski theksoi se profesioni ushtarak kërkon përgatitje të lartë fizike, qëndrueshmëri psikologjike dhe disiplinë.

Ai shtoi se, me përkushtim maksimal gjatë katër viteve të ardhshme, kadetët do të mësojnë të marrin vendime që do të jenë vendimtare për mbrojtjen dhe sigurinë e shtetit dhe, në këtë mënyrë, do ta justifikojnë besimin e qytetarëve.

“Prandaj, mësoni dhe përparoni vazhdimisht. Bëhuni ekip, respektoni njëri-tjetrin dhe mos harroni kurrë se forca e Armatës nuk qëndron vetëm te aftësitë e individit, por edhe te uniteti dhe besimi ndërmjet pjesëtarëve të saj”, theksoi Misajlovski.

Në ceremoninë e sotme morën pjesë edhe kadetë nga Bosnja dhe Hercegovina, të cilëve ministri Misajllovski u tha se prania e tyre në Akademinë Ushtarake dëshmon se Akademia është një vend i dijes, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe besimit të ndërsjellë.

“Arsimimi juaj i përbashkët është shumë më tepër sesa shkëmbim njohurish. Ai është investim në besimin e ndërsjellë, miqësinë dhe sigurinë rajonale”, tha Misajlovski.

Dekani i Akademisë Ushtarake, koloneli Nenad Taneski, foli për betimin dhe vlerat e rëndësishme për çdo kadet që e ka zgjedhur profesionin e oficerit si rrugë të jetës, duke u porositur që interesin personal ta vendosin gjithmonë para detyrës.

“Para jush janë vitet e mësimit, trajnimit ushtarak, sfidave dhe fitoreve personale. Do të përgatiteni për t’u bërë oficerë që dinë të mendojnë, të marrin vendime dhe t’i udhëheqin njerëzit përmes shembullit personal. Por mbani mend: oficeri i mirë nuk dallohet vetëm nga mënyra se si komandon, por edhe nga mënyra se si sillet me njerëzit që i janë besuar”, theksoi dekani Taneski.

Ai falënderoi ministrin Misajllovski dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Lafçiski, për hapat e rëndësishëm në modernizimin dhe pajisjen e Armatës, rinovimin e infrastrukturës ushtarake, si dhe për përmirësimin e kushteve në të cilat jetojnë, punojnë dhe trajnohen pjesëtarët e Armatës.

“Për ne, në Akademinë Ushtarake, është veçanërisht e rëndësishme që në këto procese zhvillimore të njihet edhe rëndësia e arsimit, trajnimit dhe përgatitjes së gjeneratave të reja të oficerëve. Mbështetja që marrim na mundëson t’i përmirësojmë kushtet e punës dhe të ndërtojmë një Akademi të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave bashkëkohore të Armatës”, tha dekani i Akademisë Ushtarake.

Këtë vit, në Akademinë Ushtarake, si pjesë e gjeneratës së 30-të, janë regjistruar gjithsej 34 kadetë. Prej tyre, 28 (20 burra dhe 8 gra) janë për nevojat e Armatës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjashtë (4 burra dhe 2 gra) për forcat e armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.