Ministrja Petrovska në takimin e Kontakt-grupit për Ukrainën: Mbetemi në solidaritet me Ukrainën, vendin që mbron sovranitetin e saj

Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, sot mori pjesë në takimin e Kontakt-grupit për Ukrainën, i cili u mbajt në Ramstein të Gjermanisë, nën udhëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, transmeton Portalb.mk.

Në takimin ku morën pjesë mbi 35 ministra të mbrojtjes dhe përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere, ministrja Petrovska tha se Maqedonia e Veriut është e vendosur në mbështetjen e saj për Ukrainën dhe qytetarët ukrainas që luftojnë për sovranitetin dhe pavarësinë e tyre.

“Maqedonia e Veriut qëndron në solidaritet me Ukrainën dhe qytetarët e saj. Ministria e Mbrojtjes vazhdon të ofrojë mbështetjen e saj në përputhje me vendimet e Qeverisë dhe kërkesat nga pala ukrainase. Përgatitjet për zbatimin e trajnimit për forcat e armatosura ukrainase janë në fazën përfundimtare dhe dua të theksoj se jemi duke shqyrtuar mundësi shtesë për stërvitje në vendin tonë në të ardhmen e afërt”, tha ministrja.

Jemi të bindur se nuk ka alternativë për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, tha Petrovska, duke shtuar se respektimi i parimeve të rendit juridik ndërkombëtar është imperativ, veçanërisht kur Evropa përballet me kërcënime të sigurisë. Vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe vendosmëri për respektimin e këtyre parimeve mund të kemi paqe dhe stabilitet afatgjatë, përfundoi ministrja.

Takimin e Kontakt-grupit të Ukrainës e hapën Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov dhe Sekretarja e Shtetit në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, Zimtje Moller.

Kontakt-grupi përbëhet nga mbi 50 vende që, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, koordinojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar dhe mbështetur Ukrainën.

Deri më tani Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukrainës i janë dhuruar tanke, pajisje ushtarake, si dhe 12 helikopterë Mi-24.