Joveski iu ankua Gërkovskës për mungesën e prokurorëve dhe stafit të TI-së në prokurori

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, sot ka zhvilluar takim me prokurorin publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski, në të cilin janë ngritur çështjet me kapacitetet e pamjaftueshme të personelit në këto institucione, si në aspektin e mungesës së prokurorëve, por edhe të TI-së dhe kuadrove të tjera profesionale, gjë që e vështirëson punën dhe performancën e prokurorive publike, transmeton Portalb.mk.

Në këtë takim morën pjesë kryetarja e Këshillit të prokurorëve publikë, Dushica Dimitrieska, prokurori themelor publik i Prokurorisë Themelore Publike Shkup, Gavril Bubevski dhe Natasha Goxhoska, prokurore publike e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup.

“Në takim u bisedua për çështjet që kanë të bëjnë me digjitalizimin e proceseve në prokurori, ndërsa zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se miratimi i Ligjit të ri për veprimtarinë arkivore do ta lehtësojë shumë funksionimin e përditshëm, por edhe se mbështetja e donatorëve në këtë segment duhet të përdoret siç duhet. Sa i përket krijimit të një sistemi elektronik për menaxhimin e lëndëve, të pranishmit theksuan se ky sistem duhet të përshtatet me specifikat e punës së prokurorit, por njëkohësisht të synojë uljen e rolit të faktorit subjektiv në shpërndarje”, thuhet në njoftimin qeveritar.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska u bëri thirrje të pranishmëve që të japin kontributin e tyre në fazën e vlerësimit të aktualitetit dhe krijimit të Strategjisë së re për forcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë. Fuqizimi i Prokurorisë Publike dhe aplikimi i shtuar i të gjitha llojeve të konfiskimeve si instrument në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të jetë një nga prioritetet, tha ajo.

Në takim u hap edhe çështja e përgjegjësisë për kryerjen joprofesionale dhe të pakujdesshme të profesionit të prokurorit. Prokurori publik Ljubomir Joveski theksoi se detyrë themelore e prokurorëve publikë është gjithmonë që të ndërmarrin veprime zyrtare në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në këtë drejtim, ai informoi se që nga fillimi i aplikimit të Rregullores së re për mënyrën e zbatimit të procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së prokurorit publik për shkelje disiplinore të kryer, të miratuar në vitin 2021, janë iniciuar procedura disiplinore ndaj 12 perokurorëve publik, pesë prej të cilëve përfunduan me shqiptimin e masës më të rëndë disiplinore – propozimin për shkarkim nga detyra.

Kujtojmë se më 23 maj Këshilli i prokurorëve zgjodhi 18 prokurorë publikë në 12 prokurori publike në mbarë vendin dhe një prokuror themelor publik në PTHP Shtip.