MPJ, shtatë shtetas të RMV-së ndodhen në afërsi të manastirit ku u krye sulmi i armatosur në veri të Kosovës

MPJ-ja informon se në orët e hershme të mëngjesit përmes telefonit të saj kujdestar është pranuar informacion për shtatë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njëri prej tyre fëmijë, të cilët janë duke qëndruar në një hotel, në afërsi të manastirit ku u krye sulm i armatosur ndaj forcave policore të Kosovës, transmeton Portalb.mk.

“Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë është në komunikim me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës si dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë ditës në disa raste ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me ministren Gërvalla-Schwartz, ndërsa aktualisht policia e Kosovës po siguron hotelin ku po qëndrojnë qytetarët tanë, nga ku pritet të dërgohen në shtëpi pas intervistes. Përfaqësuesit e Ambasadës mbeten në komunikim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe Policinë e Kosovës, deri në përfundimin e plotë të transferimit të tyre”, njoftuan nga MPJ.

Kujtojmë se tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e sotëm në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë “të plagosur, me uniformë dhe të armatosur”, ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.

Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Kurti ka thënë se polici i vrarë ka qenë rreshter.

Dy tjerët janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Prishtinë.

LEXO: Petrovska, Osmani dhe Grubi dënuan incidentin në veri të Kosovës