“Pasuria e skajshme ka një efekt çrregullues: të krijon bindjen se je superior ndaj të tjerëve.”
Naomi Klein
Temën e pasurisë, në kontekstin global, gjegjësisht të plutokracisë globale e trajton edhe vepra End Times Fascism: And the Fight for the Living World, të publikuar më 15 shtator 2026 nga Penguin. Në këtë vepër Naomi Klein – autore që përmes librit No logo e kemi trajtuar para disa vitesh edhe në leksionet postdiplomike – dhe Astra Taylor e analizojnë përqendrimin e pasurisë ekstreme jo si një pabarazi ekonomike, por si një patologji të thellë psikologjike, politike dhe kulturore që ushqen autoritarizmin e sotëm.
Sot pasuria shtohet, por edhe paskrupuloziteti. “Një nga shfaqjet e reja të mungesës së skrupujve buron pikërisht nga përqendrimi i një fuqie kaq të madhe financiare, mediatike, teknologjike dhe ushtarake në duart e një grupi tejet të vogël dhe të pakontrollueshëm njerëzish.”- thotë Klein. Pasuria e jashtëzakonshme mund të krijojë një ndjenjë epërsie dhe ta shtyjë individin të ndërtojë narrativa që e justifikojnë privilegjin e tij, duke e shndërruar pasurinë në një bindje për superioritet dhe në një pretendim për pushtet.
Klein argumenton se zotërimi i sasive marramendëse të kapitalit në një kohë vështirësish të mëdha globale i detyron ultra-të-pasurit të kërkojnë një arsyetim për privilegjin e tyre. E vetmja narrativë që u mbetet për të arsyetuar pse mbajnë aq shumë pasuri ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë vuan është nocioni se ata janë natyrshëm superiorë ose më të merituar, gjë që i shndërron ata në supremacistë. Kjo shkallë e paprecedentë e përqendrimit të kapitalit e eliminon përfundimisht nevojën për të kërkuar legjitimitet demokratik. Krizat nuk shihen më si probleme për t’u zgjidhur, por si arsyetime apokaliptike për të konsoliduar pushtetin.
Në vend që të përpiqen të parandalojnë shkatërrimin mjedisor, shterimin e burimeve apo krizat sociale, elita e bilionerëve i sheh këto katastrofa si mundësi të reja rritjeje ekonomike dhe si arsyetim për të ndërtuar infrastrukturë private mbijetese. Si zgjidhje autoret e shohin çmontimin, rregullimin dhe rishpërndarjen e kapitalit financiar dhe të fuqisë teknologjike të përqendruar, për të parandaluar që oligarkët privatë të monopolizojnë infrastrukturën jetike dhe të ushtrojnë kontroll mbi vendimmarrjen shoqërore globale.
Sot një aleancë e re apokaliptike, e përbërë nga fundamentalistë fetarë, mbretër të teknologjisë miliarderë të Silicon Valley-t dhe etnonacionalistë, është vënë në veprim. Ata bashkohen rreth bindjes se po afrohet një lloj kataklizme pastruese dhe e mirëpresin një të ardhme të karakterizuar nga tronditjet, mungesa dhe kolapsi, të bindur se do të jenë ndër të “shpëtuarit” që do të dalin në anën tjetër. Ky është realiteti i fashizmit të Kohëve të Fundit.
Hiper-të pasurit (ultra-wealthy elites), që po e bëjnë botën tonë të pabanueshme përmes kaosit klimatik dhe inteligjencës artificiale që zëvendëson vendet e punës, po përgatiten të mbrojnë veten nga pasojat e kësaj krize. Kjo përfshin tërheqjen drejt ishujve privatë luksozë për ta, nisjen drejt Marsit ose shndërrimin e shteteve në fortesa të mbrojtura nga “tjetri” i çnjerëzuar. Në vend që të përpiqen t’i zgjidhin krizat planetare, udhëheqësit e kësaj lëvizjeje përqafojnë një fatalizëm të errët, duke brohoritur për dështimin sistemik, sepse besojnë se vetëm më të fortët meritojnë të mbijetojnë.
Në veprën End Times Fascism, Klein dhe Taylor argumentojnë se përqendrimi ekstrem i pasurisë korrupton politikën dhe nxit një botëkuptim fatalist. Pasuria e vërtetë është ajo në shërbim të njerëzimit, jo të agjendave antihumane e apokaliptike që duke dashur të robërojnë tjetrin robërojnë edhe vetveten. Filantropia është antidoti i idolatrisë dhe skllavërisë pasurore.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.