Përkthyesit si gjuhëdashurues dhe gjuhëpasurues

Për shkrimtarin gjuha është gjithçka. Duke luajtur me violinën e gjuhës, ai zbulon përmasa të reja ekzistenciale. “Gjuha mbeti me mua kur të gjithë më braktisën”, shkroi Jehuda Amihai. Gjuha, sipas Josif Brodskit, është “çelësi që hap portat e mendimit”. Nëpërmjet gjuhës, sipas botëshikimit të Hajdegerit, arrijmë deri te qenia…

E sipërthëna vlen edhe për përkthyesit, të cilët, si rrallë kush, e njohin fuqinë shprehëse të gjuhës së tyre dhe të gjuhës nga e cila përkthejnë. Ndonëse mbeten nën hijen e autorëve që ua përkthejnë veprat, kurse emrat e tyre shpesh harrohen padrejtësisht, ata janë personalitete me kulturë dhe ndërgjegje të lartë. Mitrush Kuteli tha se nuk përkthente ai, por kultura e tij.

Përkthyesi i mirë e njeh edhe gjuhën e simboleve, gjuhën e ëndrrës, gjuhën e harruar. Ai zhytet brenda qenies njerëzore, brenda një kulture, qytetërimi, historie, psikologjie. Ai depërton në përmasa të padukshme e të panjohura falë dhuntisë dhe kulturës së tij. Ai zbulon thesare që, siç tha Fernand Braudel-i, një gjuhë ua fsheh gjuhëve tjera.

Për përkthyesin çdo gjuhë është e vlefshme dhe pasuri e njerëzimit. Se ta duash gjuhën tënde nuk është kusht ta urresh një gjuhë tjetër. Sipas Çarls Tejlorit, secili komb ka të drejtë të besojë se kultura dhe gjuha e tij është e vlefshme. Ata që janë kundër një gjuhe, vuajnë nga ksenofobia. Ksenofobët e dëmtojmë, në rend të parë, kulturën e tyre.

Përkthyesit bëjnë të kundërtën. Ata i kontribuojnë ndërveprimit kulturor. Kulturat dhe gjuhët, si sisteme të hapura, janë pasuruar falë ndërveprimit. Kulturat dhe gjuhët e përjashtuara nga ndërveprimi varfërohen. Këtë proces s’e kuptojnë pseudofilologët që flasin për gjithçka me kompetencë të frikshme…

Gjuha shqipe është shtylla kryesore e identitetit tonë. Kjo gjuhë kulture ka fuqi të madhe shprehëse. Këtë na e dëshmojnë përkthyesit, të cilët e pasuruan sistemin tonë kulturor me kryevepra të artit dhe të filozofisë botërore. Falë përkthyesve edhe kultura shqiptare u dha vlera të përjetshme sistemeve të tjera kulturore.

Për përkthyesit gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe mirëkuptimi. Përkthyesit e mirë janë gjuhëdashurues dhe gjuhëpasurues, kurse përkthyesit e dobët dhe të papërgjegjshëm e kthejnë diamantin në karbon. Ndërkaq, ata që ankohen se gjuha shqipe s’ua mundëson t’i shprehin mendimet e tyre, s’e kuptojnë se faji nuk është te gjuha shqipe, por tek ata që s’e njohin këtë gjuhë.

Gandit tha: “Dua që shpirti i të gjithë kulturave të lulëzojë në shtëpinë time me gjithë lirinë e mundshme. Por, refuzoj të lejoj dikë të më marrë nëpër këmbë… Nuk do të doja asnjë indian i vetëm që ta harronte apo ta neglizhonte gjuhën amtare, të turpërohej prej saj apo ta shihte si të papërshtatshme për t’i shprehur mendimet dhe reflektimet e tija më të thella”. (Ernesto Sabato, Rezistenca, përktheu: Fatbardha Statovci, Pema, Prishtinë, 2022, f.46).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.