Grupi Blueprint kërkoi që të ndërpritet menjëherë procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor

Grupi Blueprint për reformat në drejtësi kërkon ndërprerjen e menjëhershme të procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në të kundërtën, siç thonë nga grupi Blueprint, si mjet i fundit, u bëjnë thirrje gjyqtarëve që duhet të votojnë në zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, nga Gjykata e Apelit Shkup dhe Gjykata Supreme, që ta bojkotojnë procesin për zgjedhjen e anëtarëve, për shkak të moslegjitimitetit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së.

“Edhe përkundër reagimeve të organizatave dhe ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë për veprim joadekuat të Këshillit Gjyqësor gjatë periudhës së kaluar, puna e tyre megjithatë tregon se po thellohet hendeku dhe mosbesimi që ekziston mes tyre dhe publikut maqedonas. Shembulli i fundit është procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në KGJRMV-së nga radhët e gjykatësve, ku si kandidatë janë identifikuar gjykatës për të cilët është zhvilluar dhe po zhvillohet procedurë për konstatimin e punës joprofesionale dhe të pandërgjegjshme”, thuhet në komunikatën e grupit Blueprint.

Përndryshe, gjykatësi Naqe Georgiev nga Gjykata Supreme është kandidati i vetëm nga radhët e gjykatësve suprem për anëtar të Këshillit Gjyqësor. Pardje, pikërisht për të Këshilli Gjyqësor e ndërpreu procedurën për konstatim të punës jo profesionale dhe të pandërgjegjshme që nga koha kur ishte kryetar i Gjykatës së Apelit në Shtip. Në seancën të mbyllur, anëtarët e Këshillit vendosën që procedura për shkarkimin e tij, për të cilën nuk u vendos 6 muaj, ishte e pabazë.

“Për një procedurë ligjore të rregulluar kaq qartë, mbetet e paqartë se cilat janë arsyet se pse Këshilli Gjyqësor për një kohë aq të gjatë nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me kërkesën e parashtruar kundër një gjykatësi apo kryetari të një gjykate në lidhje me kryerjen e funksionit të tyre, me çka me të drejtë ngre dyshime shtesë mbi integritetin e përbërjes ekzistuese të këtij organi. Procedura për përcaktimin e përgjegjësisë ka përfunduar një ditë para se KGJRMV-ja ta caktojë listën e kandidatëve për anëtarë të KGJRMV-së. Do donim të theksojmë se vendimi për ndalimin e procedurës për përgjegjësinë ende nuk është publikuar dhe nuk është i plotëfuqishëm, që publiku të mund të njihet me arsyet e ndalimit të saj.

Kjo sjellje e KGJRMV-së hedh dyshime për kandidatin për anëtar të KGJRMV-së”, thonë nga grupi Blueprint.

Nga atje insistojnë për një përbërje krejtësisht të re dhe kandidatë të rinj për anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe propozojnë që të ndërpritet procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KGJRMV-së dhe të pritet që misioni vlerësues për vlerësimin e punës së Këshillit Gjyqësor në periudhën e kaluar të japë mendimin e tij për gjendjen ekzistuese në funksionimin e KGJRMV-së, e pastaj të vazhdojë procedura për kompletimin e Këshillit Gjyqësor.

“Dëshirojmë ta theksojmë deklaratën e David Geer, ambasadorit të BE-së në RMV, por edhe reagimet e ambasadorëve të tjerë në vendin tonë, të cilët po e ndjekin me vëmendje punën e Këshillit Gjyqësor dhe veprimet e tij në periudhën e fundit. Ata e theksojnë nevojën e rishikimit të punës së këtij organi në drejtim të sigurimit të punës së pavarur, të paanshme të gjyqësorit dhe ngritjes së integritetit të gjykatësve”, thonë nga grupi Blueprint, në të cilin bëjnë pjesë Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj (SHMJR), Instituti për Politikë Evropiane (IPE), Instituti për të Drejtat e Njeriut (IDNJ), Koalicioni “Të gjithë për Gjykim të Drejtë” (TGJGJD), Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra për Hulumtime dhe Analiza Ligjore (QHAL).

Përndryshe, për dy vendet vakante në Këshillin Gjyqësor, pas dorëheqjes të dy anëtarëve si pasojë e një sërë skandalesh në institucion, krahas Georgievit nga radhët e Gjykatës Supreme, ka kandiduar edhe Llazar Nanev, gjykatës nga Gjykata Themelore e Kavadarit. Kandidatura e tij u refuzua dhe më pas u pranua, edhe pse i mungonte një vërtetim origjinal nga Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik, të cilin e ai e ka dorëzuar së bashku me ankesën e tij në mënyrë elektronike, sepse e kishte marrë me vonesë nga Akademia, ndërsa të pa plota ishin edhe të dhënat për vlerësimin e tij dhe është shënuar gjatësia e stazhit të tij të përgjithshëm, e jo ajo e stazhit si gjykatës. Antoneta Dimovska, gjykatëse nga Gjykata Civile e Shkupit, shpalli kandidaturën e saj për anëtar të ri të Këshillit Gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor formoi një komision i cili do duhet t’i realizojë zgjedhjet më 13 korrik.

Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.