Romët edhe vitin e kaluar të lënë nën hije, KE-ja nxori në dritë pikat ku RMV-ja ka dështuar me këtë komunitet

Të diskriminuar, të papunë, në varfëri dhe të përballur me shumë sfida tjera. Kështu përshkruhet gjendja e komunitetit rom në Maqedoninë e Veriut në Raportin e vitit 2023 të Komisionit Evropian mbi në rrugën e RMV-së drejt integrimit evropian. Pavarësisht progresit në disa fusha, gjendja mbetet kritike. Portalb.mk e analizoi Raportin për komunitetin rom.

Qasja në shërbimet shëndetësore parandaluese dhe kurative, ulja e vdekshmërisë, adresimi i diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë nga profesionistët shëndetësorë dhe shëndeti i grave sipas Raportit mbeten sfida kryesore në fushën e kujdesit shëndetësor rom.

Raporti thekson se kapaciteti i qendrave sociale duhet të zgjerohet, në mënyrë që ato të mund të zhvillojnë dhe mbështesin shërbime të reja komunitare duke përfshirë shërbimet për të mbështetur fëmijët romë.

Raporti thekson se hendeqe të vazhdueshme gjinore ekzistojnë edhe në punësim dhe në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore, veçanërisht te gratë rome të moshës nga 40 deri në 44 vjeç.

“Janë regjistruar raste të diskriminimit dhe brutalitetit policor në bazë të përkatësisë etnike rome, veçanërisht ndaj të rinjve romë, vajzave dhe romëve në paraburgim”, tregon Raporti.

Mes tjerash thuhet se barriera të tjera si mungesa e aftësive digjitale dhe qasja në teknologji vazhdojnë t’i pengojnë romët të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të kenë qasje në shumicën e shërbimeve, shumica e të cilave tani janë digjitale (kujdesi shëndetësor, arsimi, punësimi, mbrojtja sociale etj).

“Në përgjithësi, ndërkohë që është bërë përparim, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të promovuar plotësisht përfshirjen dhe mbrojtjen e romëve dhe për të trajtuar anti-ciganizmin dhe diskriminimin, duke përfshirë diskriminimin e shumëfishtë dhe strukturor, ndaj romëve. Kërkohet pjesëmarrja sistematike, fuqizimi dhe ngritja e kapaciteteve”, tregon Raporti.

Megjithëse është bërë njëfarë progresi në arsimin parashkollor, Raporti thekson se niveli i përgjithshëm i regjistrimit mbeti më i ulët se standardet rajonale dhe të BE-së, veçanërisht për fëmijët romë.

Mes tjerash thuhet se ka 235 individë romë, askali dhe egjiptianë nga Kosova në vend, duke përfshirë 11 me status refugjati, 64 nën mbrojtje shtesë dhe rreth 160 të cilëve u ka përfunduar statusi i mbrojtjes.

“Individët mbeten në një situatë të cenueshme për shkak të mungesës së statusit ligjor dhe qasjes të pamjaftueshëm në të drejtat themelore”, thekson Raporti.

Raporti nxjerr në pah se një hartë gjeografike e vendbanimeve rome në pesë komuna identifikoi zonat ku nevojiten ndërhyrje për strehim.

“Shumica e vendbanimeve rome ende nuk janë të mbuluara me plan urbanistik”, tregon Raporti.

Sipas Raportit, ndryshimet e miratuara në Ligjin për Gjendjen Civile, Ligjin për Regjistrimin e Vendbanimit dhe Ligjin për ID i hapin rrugën zgjidhjes së të gjitha rasteve të njohura të pashtetësisë dhe përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të vendit.

“Ato garantojnë të drejtën e regjistrimit për fëmijët e lindur në territorin e Maqedonisë së Veriut brenda 45 ditëve nga lindja, pavarësisht nga statusi i prindërve të tyre. Përfundimi i pashtetësisë mund të ketë një ndikim të rëndësishëm pozitiv mbi romët e prekur dhe shoqërinë në tërësi”, thuhet në Raport.

Në mesin e kritikave, Raporti thekson se ka pasur progres me përfshirjen e romëve.

“Me strategjinë e përfshirjes së romëve 2022-2030 tani në fuqi, planet e veprimit u miratuan në tetor 2023 që mbulonin anti-ciganizmin, arsimin, punësimin, kujdesin social, kujdesin shëndetësor, strehimin, regjistrimin qytetar dhe kulturën. Një këshilltar i Kryeministrit që mbikëqyr çështjet e përfshirjes së romëve u emërua gjithashtu si Pika Kombëtare e Kontaktit e Romëve”, thekson Raporti.

Ndër tjera thuhet se regjistrimi i fëmijëve romë në kopshte u rrit lehtë me 1.25% nga 420 vitin e kaluar në 462.

“Në vitin shkollor 2022/23, 4 429 fëmijë romë u regjistruan në klasën e parë të arsimit fillor dhe 202 fëmijë u identifikuan nga OJQ-të si të pa regjistruar. Shkalla vjetore e braktisjes së shkollës për fëmijët romë në shkollat fillore është ende relativisht e lartë. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, 93,17% e nxënësve romë kanë mbetur në shkollë pas vitit akademik 2021/22, ndërsa 6,83% janë larguar. 89.08% e fëmijëve romë të moshës së përfundimit të shkollës kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm. Punësimi i 35 ndërmjetësve romë në arsim është një hap pozitiv, ndërsa segregacioni në shkolla mbetet një çështje e rëndësishme”, tregon Raporti.

Theksohet gjithashtu se numri i ndërmjetësve arsimorë romë u rrit më tej për të arritur në 40, nga 35 në 2021, duke i vënë shërbimet e tyre të disponueshme për 28 komuna, nga 26 në 2021. Ndërkaq, në arsimin e lartë, autoritetet dhanë 135 bursa për studentët romë.

Por, KE-ja thekson se vitin e ardhshëm Maqedonia e Veriut duhet në veçanti të përmirësojë qasjen në arsim cilësor për të gjithë, në veçanti fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome.

Ndër të tjera thuhet se ka rënie të lehtë të numrit të romëve të papunë.

“U morën masa për të synuar individët romë me nivele të ulëta arsimore dhe për të promovuar përfshirjen e tyre në tregun e punës. 969 romë janë përfshirë në skemën e Garancisë për Rininë, nga të cilët 148 u punësuan”, thotë KE-ja.

Megjithatë, KE-ja thekson se punësimi i romëve mbështetet nga skema e asistencës minimale të garantuar të prezantuar nga Ligji për mbrojtjen sociale.

Mes tjerash thuhet se grupet parlamentare ndërpartiake për romët përfunduan me sukses aktivitete të shumta, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat përkatëse të shoqërisë civile.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni KËTU.