BDI: Diskriminim i hapur në M-NAV, janë punësuar 14 maqedonas dhe 2 shqiptarë
BDI akuzon Agjencinë për Navigacionin Ajror (M-NAV) dhe qeverinë për praktika diskriminuese ndaj shqiptarëve në punësime, duke theksuar se nga 16 vende pune të fundit vetëm 2 janë zënë nga shqiptarë. Ata përmendin raste nepotizmi, ndërhyrje politike dhe bllokim të mbikëqyrjes sindikale gjatë rekrutimeve, si dhe shembuj të ngjashëm në institucione të tjera shtetërore. Sipas BDI-së, këto janë pjesë e një zinxhiri vendimesh që mohojnë përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit. Partia kërkon anulimin e procedurave të kontestuara dhe transparencë të plotë në punësime, transmeton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën më të thellë për praktikat diskriminuese dhe selektive në punësimet e fundit në Agjencinë për Navigacionin Ajror (M-NAV), ku nga gjithsej 16 vende pune të shpallura në dy konkurset e fundit, vetëm 2 janë zënë nga shqiptarë, një prej tyre djali i deputetes së VLEN-it, Merita Kollçi – Koxhaxhiku. Këto të dhëna tronditëse dëshmojnë edhe njëherë realitetin e hidhur të diskriminimit të vazhdueshëm institucional ndaj shqiptarëve, i cili po vazhdon me të njëjtin intensitet pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re. Për më tepër, raportimet e Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit për ndërhyrje politike dhe bllokimin e mbikëqyrjes sindikale gjatë intervistave, konfirmojnë se proceset e punësimit jo vetëm që nuk janë meritore, por shërbejnë si mjet për shpërblime partiake dhe nepotizëm. I ngjashëm është rasti me punësimin e nipit të Zeqirija Ibrahimit në ushtri, ku në atë konkurs ishte shqiptari i vetëm i pranuar nga gjithsej 74 punësime”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ata shtojnë se është e papranueshme që në një institucion shtetëror të financuar nga taksat e qytetarëve, shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
“Ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një zinxhiri vendimesh diskriminuese që po ndodhin në administratën publike dhe shtetërore, duke i mohuar shqiptarëve përfaqësimin e barabartë që u garantohet me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit. BDI i bën thirrje Qeverisë dhe drejtuesve të M-NAV që të anulojnë menjëherë procedurat e kontestuara dhe të sigurojnë transparencë e përfaqësim të drejtë në çdo proces punësimi. Mosreagimi ndaj këtyre padrejtësive do të jetë një akt i hapur bashkëpunimi me diskriminimin”, thotë BDI.
Kujtojmë se më 18 korrik u paraqit kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në M-NAV pas shpalljes së fundit për punësime jo-thelbësore dhe fiktive, në të cilën u pranuan: nënkryetari i UFR të VMRO-DPMNE-së, bashkëshorti i drejtoreshës së Regjistrit Qendror të Maqedonisë, të dy nga VMRO-DPMNE, bashkëshortja e tani të ndjerit Igor Jug, i dënuar për sulmin e organizuar në Parlament më 27 prill 2017 nën udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së.
Në ankesë kërkohet përcaktimi i parregullsive dhe anulimi i shpalljes. Konkretisht, parregullsitë janë në pamundësinë e pranisë së një vëzhguesi gjatë fazës së dytë – intervistave me kandidatët, të cilat u zhvilluan ekskluzivisht pas dyerve të mbyllura vetëm nga tre drejtorët e M-NAV.
Më 10 korrik, sindikata caktoi grevë dhe mbyllje të qiellit për fluturime. Megjithatë, e anuloi atë pasi kontrollorët e trafikut ajror morën premtim direkt nga qeveria se të gjitha kërkesat e tyre do të plotësoheshin.
Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron hapjen e konkurseve publike në prag të zgjedhjeve si një përpjekje të hapur dhe të dëshpëruar të Qeverisë për të manipuluar qytetarët dhe për të blerë përkrahje politike përballë humbjes së pashmangshme që e pret në tetor.