Për gjashtë ditë, rreth 8.5 milionë denarë u mblodhën nga gjobat për të huajt përmes “Qytetit të Sigurt”
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, gjatë gjashtë ditëve ka arkëtuar rreth 11.500 gjoba në vlerë prej afërsisht 8.5 milionë denarësh, bëri të ditur ministri Pançe Toshkovski në një intervistë televizive, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, gjobat i referohen periudhës pasi në pikën kufitare “Tabanoc” filloi sanksionimi i automjeteve me targa të huaja.
Megjithatë, ai shtoi se arkëtimi i gjobave nuk është qëllimi kryesor i sistemit, por shpëtimi i jetëve njerëzore.
Si treguesin më të rëndësishëm të efekteve të sistemit, ministri e veçoi uljen e numrit të viktimave në komunikacion. Sipas të dhënave të paraqitura në intervistë, deri në fund të gushtit të vitit të kaluar ishin regjistruar 96 viktima, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti numri ka rënë në 58 viktima.
“Jeta e njeriut nuk ka çmim. Kjo është strategjia dhe qëllimi ynë. Duhet të dalim nga statistikat e zeza që Maqedonia i ka prej vitesh në krahasim me vendet evropiane dhe jam i bindur se, nëse vazhdojmë me këtë ritëm, në dy-tre vitet e ardhshme mund t’i afrohemi ndjeshëm mesatares evropiane”, shtoi Toshkovski.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se po vazhdon zgjerimi i sistemit “Qyteti i Sigurt” në të gjithë territorin e shtetit. Sipas planit të paralajmëruar, zbatimi i sistemit në territorin e SPB Velesit duhet të fillojë në gjysmën e parë të shtatorit, ndërsa deri në fund të shtatorit edhe në territorin e SPB Ohrit.
Më pas, sistemi do të shtrihet në SPB Strumicë dhe SPB Shtip, ndërsa janë planifikuar aktivitete edhe për implementimin e tij në territorin e SPB Manastirit. Synimi është që sistemi inteligjent të zbatohet në të gjithë territorin e shtetit.
Pasi më 19 gusht filloi zbatimi i sistemit “Qyteti i Sigurt” për ndëshkimin e shtetasve të huaj, nga MPB-ja njoftuan se brenda dy ditësh ishin regjistruar 5.514 kundërvajtje nga automjete me targa të ndryshme nga ato vendore.
Kontrolli filloi të zbatohet në pikën kufitare “Tabanoc”, në kufirin maqedono-serb, në dalje nga shteti. Në sistem shfaqen automjetet me targa të huaja për të cilat “Qyteti i Sigurt” kishte evidentuar më herët kundërvajtje në trafik.
Kjo shkaktoi kolona dhe numër të shtuar automjetesh në pikën kufitare, ndërsa nga MPB-ja thanë se kjo ndodhi për shkak se bëhej fjalë për fillimin e zbatimit të këtij mekanizmi, i cili përfshin edhe kundërvajtjet e evidentuara më herët. Reagimet negative dhe pakënaqësitë ndaj zbatimit të mekanizmit erdhën kryesisht nga shtetasit e Serbisë.
Për të ulur kolonat, Ministria e Punëve të Brendshme ka vënë në funksion aplikacionin e ri në internet, përmes të cilit drejtuesit e huaj mund të kontrollojnë shpejt dhe lehtë nëse kanë kundërvajtje të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, të shohin urdhërpagesat e lëshuara për kundërvajtje dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.
- LEXO: MPB e RMV-së: Më shumë se gjysma e shkeljeve, „Safe City“ i ka evidentuar te automjetet me targa të huaja
- LEXO: Shoferët me targa të huaja nga tani mund t’i kontrollojnë online gjobat për shkeljet që kryejnë në RMV
- LEXO: “Qyteti i Sigurt” me dënime edhe për automjetet e huaja, filloi zbatimi i sistemit në pikën kufitare “Tabanoc”