U ndalua uji për pije në katër fshatra të Tetovës, nuk është i sigurt

Uji në fshatrat Reçicë e Vogël, Reçicë e Madhe, Poroj dhe Xhepçisht momentalisht nuk është i sigurt për pije dhe për këtë është vendosur ndalesë, raporton Portalb.mk.

Ndërmarrja Publike Komunale për ujësjellës “Sharri” informoi se pas analizave të kryera për cilësinë e ujit, është konstatuar se uji nuk plotëson kushtet për përdorim si ujë i pijshëm në këto katër fshatra.

“Për këtë arsye, ndalohet përdorimi i ujit për pije deri në një njoftim të mëtejshëm nga institucionet kompetente”, informoi NPK Sharri.

Nga ndërmarrja theksojnë se nuk është kompetente për furnizimin me ujë të këtyre fshatrave, pasi këto vendbanime nuk furnizohen me ujë nga sistemi i ujësjellësit të qytetit të Tetovës, i cili menaxhohet nga NPK “Sharri”.

“Për rrjedhojë, përgjegjësia për furnizimin dhe menaxhimin e ujësjellësit në këto fshatra është në kompetencë të strukturave përkatëse lokale”, thanë nga “Sharri”

Ata apelojnë që për shkak të rëndësisë së situatës dhe mbrojtjes së shëndetit publik, banorët këshillohen të respektojnë ndalesën dhe të mos e përdorin ujin për konsum, deri në sigurimin e rezultateve që konfirmojnë se uji është i sigurt për pije.

Kujtojmë se javë më parë në Gostivar u zbuluan pompa që drejtpërdrejt injektonin ujëra të zeza në sistemin e furnizimit me ujë, kështu duke e ndotur ujin për pije e cila më pas çoi deri në shpalljen e epidemisë, ndërsa mijëra qytetarë përfunduan në spital. Ndërkaq tre persona nga udhëheqësia e ndërmarrjes së ujësejllsëit përfunduan në paraburgim.