MPB e RMV-së: Më shumë se gjysma e shkeljeve, „Safe City“ i ka evidentuar te automjetet me targa të huaja

Sistemi „Safe city” që nga fillimi i funksionimit të tij në shkurt të këtij viti, ka evidentuar gjithsej 310.865 shkelje, prej të cilave gati të gjitha janë për tejkalim të shpejtësisë së lejuar të ngasjes, informoi sot Ministria e Punëve të Brendshme, njofton Portalb.mk.

Sipas kumtesës së Ministrisë, më shumë se gjysma e shkeljeve, ose saktësisht 180.378 janë evidentuar te automjetet me targa të huaja.

„Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin se në periudhën prej 02.02.2026 deri më 20.08.2026 në sistemin ‘Safe City’ janë evidentuar gjithsej 310.865 shkelje, prej të cilave pjesa më e madhe i referohen drejtimit të automjetit me shpejtësi më të madhe se e lejuara – 301.835 shkelje“, thonë nga MPB.

Kur bëhet fjalë për shkeljet që kanë bërë automjetet me targa të huaja, nga MPB theksojnë se në periudhën prej 19 deri më 20 gusht janë regjistruar 5.514 shkelje nga ana e automjeteve me targa të ndryshme nga ato vendasit.

„Lidhur me shkeljet e bëra nga automjetet me targa të huaja, në periudhën nga fillimi i funksionimit të sistemit ‘Safe Cty’ janë regjistruar gjithsej 180.378 shkelje, ndërsa në periudhën prej 19.08.2026 deri më 20.08.2026 janë regjistruar 5.514 shkelje nga automjetet me targa të huaja“, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga atje u apelojnë të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit me qëllim të kontributit të përbashkët për sigurinë në rrugë.

Përndryshe, nga 19 gushti MPB ka filluar me shqiptimin e gjobave për shoferët e huaj që kanë bërë shkelje komunikacioni gjatë kalimit nëpër territorin e vendit. Nga MPB thanë se në “Tabanoc”, gjatë daljes nga shteti, gjatë kontrollit paraqiten automjete për të cilat sistemi ka evidentuar më herët kundërvajtje në trafik.

Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi 120 mijë kundërvajtje në trafik.