Pendarovski priti shefin e Shtabit të përgjithshëm të Armatës së Shqipërisë, Arben Kingji

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim gjeneralmajor Arben Kingji, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin dypalësh ushtarak dhe të mbrojtjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe u konstatua se është në nivel të kënaqshëm dhe u shpreh interesi për forcimin e këtij bashkëpunimi, përmes një dialogu të hapur dhe konstruktiv.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, si dy anëtarë me të drejta të plota dhe fqinje, dhe shprehën pritshmërinë që ai të vazhdojë edhe në të ardhmen, në drejtim të promovimit dhe përmirësimit të stabilitetit dhe sigurisë rajonale. Presidenti Pendarovski shprehu pritjen se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të vazhdojnë të harmonizojnë pikëpamjet e tyre në kuadër të bashkëpunimit në Aleancë.

Presidenti Pendarovski dhe gjeneralmajori Kingji e theksuan pjesëmarrjen e dy ushtrive në aktivitetet e përbashkëta stërvitore si shembull të suksesshëm të bashkëpunimit dhe shprehën shpresën se bashkëpunimi ndërmjet dy ushtrive do të përmirësohet në të ardhmen dhe do të arrijë nivelin e bashkëpunimit të të dyja vendeve që kanë në nivel politik dhe ekonomik.

Me 15 dhjetor, presidenti Stevo Pendarovski takoi presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, për të diskutuar bashkëpunimin mes dy shteteve dhe eurointegrimin.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për vazhdim të bashkëpunimit mes dy vendeve, si aleatë në NATO, me synimin për të kontribuar në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe komunitetit euroatlantik.