Pendarovski dhe Begaj: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë për të zhbllokuar proceset e eurointegrimit

Nga Kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut informojnë se presidenti Stevo Pendarovski sot ka takuar presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, për të diskutuar bashkëpunimin mes dy shteteve dhe eurointegrimin, shkruan Portalb.mk.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për vazhdim të bashkëpunimit mes dy vendeve, si aleatë në NATO, me synimin për të kontribuar në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe komunitetit euroatlantik.

Presidenti Pendarovski dhe presidenti Begaj, siç shkruhet në njoftim, shkëmbyen mendime dhe informacione për integrimet evropiane, si dhe për rezultatin e Samitit të Këshillit Evropian në Bruksel. Ata deklaruan nevojën e zhbllokimit të proceseve, si dhe vazhdimin e proceseve reformuese në të dy vendet.

Pendarovski ka shprehur haptazi qëndrimin e tij ndaj eurointegrimeve, madje në konferencën e gjashtë plenare të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KNBE-MK), ai në fjalimin e tij theksoi se thelbi apo arsyetimi i integrimeve është ngritja e sundimit të ligjit si vlerë supreme në shoqëri dhe shtet, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit, jo vetëm në rastin tonë, bëhet më efektive kur shteti është i fokusuar në integrimet evropiane.

LEXO: Pendarovski: Lufta kundër korrupsionit në mënyrë më efikase zhvillohet kur shteti është i fokusuar në eurointegrime