Pendarovski dhuroi gjak në ngjarjen humanitare të Ambasadës së ShBA-së në Shkup

Presidenti Stevo Pendarovski së bashku me djalin e tij Ognen sot kanë dhuruar gjak në ngjarjen humanitare të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Manifestimi humanitar për dhurimin e gjakut dhe dhurim të ushqimit, i organizuar në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe Institutin e Transfuzionologjisë, mbahet këtë vit për të 15-ën herë në kujtim të ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001.

Kujtojmë se më datë 11 shtator 2001 një avion i rrëmbyer goditi qëllimisht njërën kullë të Qendrës Botërore të Tregtisë,

Ishte ora 08:46. Vetëm 17 minuta më vonë, një avion tjetër, po ashtu i rrëmbyer, u përplas për kullën e dytë.

Dy ndërtesat 110-katëshe – rrokaqiejt më të lartë në Nju Jork – i përfshinë flakët, ndërsa qindra punonjës të shërbimit të urgjencës nxituan drejt kullave për t’i ndihmuar të ngujuarit brenda.

Në total, 2.977 njerëz – pa përfshirë 19 rrëmbyesit e avionëve – vdiqën në sulme, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën.