Pavarësisht kritikave, Siljanovska i nënshkroi ndryshimet në Kodin Penal
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova e ka nënshkruar dekretin për ndryshimet në Kodin Penal, për të cilat organizatat joqeveritare nga Platforma për Luftë kundër Korrupsionit kërkonin prej saj që ta shfrytëzonte të drejtën e vetos dhe mos i nënshkruante, transmeton Portalb.mk.
Presidentja ka vërejtje për veprat që lidhen me keqpërdorimet, por thotë se këto zgjidhje janë pakrahasueshëm më të mira se ato të vitit 2023. Si argument e përmendi edhe funksionimin e projektit “Qyteti i Sigurt”.
Këto ndryshime i ka mbështetur vetëm si zgjidhje tranzitore deri në Kodin e ri Penal, për të cilin ka marrë garanci nga Qeveria se do të miratohet deri në muajin qershor.
“Nëse i analizoj zgjidhjet në raport me ndryshimet e vitit 2023, të cilat ishin katastrofale, kjo është një hap përpara. Jo të gjitha janë të mira; pres që me Kodin e ri Penal, e di që për të po punon një grup i kualifikuar dhe përfaqësues të BE-së – dhe se neve na duhen zgjidhje themelore”, tha Gordana Siljanovska Davkova.
Organizatat joqeveritare kanë alarmuar se ndryshimet krijojnë pasiguri shtesë juridike dhe përkeqësim të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit të lartë, ata kanë shumë vërejtje ndaj dispozitave për veprat korruptive.
- LEXO: Platforma kundër korrupsionit kërkon që Siljanovska mos t’i dekretojë ndryshimet në Kodin Penal
Më 28 janar, me 76 vota “për” dhe vetëm një kundër, pa asnjë amendament të pranuar nga diskutimet në komision dhe pa vërejtje nga ekspertët, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i miratoi ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga deputetët e shumicës VMRO-DPMNE.
Ndryshimet në Kodin Penal pritet të jenë një zgjidhje kalimtare, derisa të përgatitet Kodi Penal krejtësisht i ri nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë, i cili pritet të jetë gati deri në qershor të këtij viti.