Amnisti e re për funksionarët në Maqedoninë e Veriut, u miratuan ndryshimet në Kodin Penal
Me 76 vota “për” dhe vetëm një kundër, pa asnjë amendament të pranuar nga diskutimet në komision dhe pa vërejtje nga ekspertët, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i miratoi ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga deputetët e shumicës VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk.
Ekspertët i kritikuan hapur këto ndryshime, duke theksuar se ato nuk parashikojnë dënime më të rrepta për funksionarët, por përkundrazi zgjasin amnistinë për ta dhe lejojnë që veprat të vjetërsohen më shpejt.
Megjithëse prej vitesh paralajmërohet Kod Penal i ri që po përgatitet nga një grup pune, deputetët e VMRO-DPMNE propozuan ndryshime përpara miratimit të Kodit të ri, pa dhënë asnjë arsye zyrtare për vonesën.
“Zgjidhjet e reja ligjore rivendosin thelbin e politikës penale, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Forcojnë kompetencën e prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe janë në përputhje me vërejtjet e përfshira në raportin e Komisionit Evropian”, tha Mile Lefkov, deputet nga VMRO-DPMNE.
Vetëm deputetja e Levicës, Jovana Mojsoska, deklaroi se nuk do të votojnë, ndërsa partitë e tjera heshtën dhe ndryshimet u miratuan shpejt.
“Ne nuk e shohim Kodin Penal ende, as pushteti i kaluar nuk e miratoi, ndërsa tendenca është që as kjo qeveri të mos e miratojë. Një kod i tillë penal, është vetëm zgjidhje kozmetike për të përmbushur afatin e përcaktuar nga gjykata kushtetuese”, tha Mojsoska.
Sipas kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçes, ndryshimet nënkuptojnë amnisti për krimin e VMRO-DPMNE-së.
“Kjo është një përpjekje tjetër për të treguar diçka si një ligj reformues, dorëzimi i një ligji reformues dhe amnistim i zyrtarëve aktualë lejohet në një derë të vogël”, tha Filipçe.
Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit nuk pajtohet me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara për Kodin Penal. Sipas tyre, këto ndryshime nuk i largojnë dëmet thelbësore të shkaktuara me ndryshimet e Kodit penal të shtatorit 2023, por përkundrazi e dobësojnë më tej mbrojtjen penale-juridike nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare.
Ndryshimet në Kodin Penal pritet të jenë një zgjidhje kalimtare, derisa të përgatitet Kodi Penal krejtësisht i ri nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë, i cili pritet të jetë gati deri në qershor të këtij viti.
- LEXO: Platforma kundër korrupsionit: Ndryshimet në Kodin Penal nuk i largojnë dëmet e 2023, kërkojnë rikthimin e dispozitave
- LEXO: Ndryshimet në Kodin Penal, Sabina Fakiq: Dekriminalizohet një spektër i gjerë i abuzimeve me tenderët
- LEXO: Ndryshimet në Kodin Penal në RMV ndanë komunitetin juridik: Për disa janë kozmetike, për të tjerë duhet të plotësohen
- LEXO: Zyrtarët nuk do të mbajnë përgjegjësi për korrupsion me ndryshimet e reja në Kodin Penal, tha prokurorja Ristoska
- LEXO: U rikthyen dispozitat e fshira nga Kodi Penal i RMV-së që i shpëtonin zyrtarët nga vjedhja, por tani u jepet mundësia për dënim me kusht