Platforma kundër korrupsionit kërkon që Siljanovska mos t’i dekretojë ndryshimet në Kodin Penal
Platforma për Luftë Kundër Korrupsionit kërkon nga presidentja e Maqedonisë së Veriut që të mos e nënshkruajë dekretin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit penal dhe përdorimin e të drejtës kushtetuese të vetos, raporton Portalb.mk.
Përmes një letre drejtuar presidentes ata thonë se pas një analize të kujdesshme të Ligjit të miratuar, vlerësojnë se ekzistojnë arsye serioze dhe të bazuara për të cilat i bëjmë thirrje të mos e nënshkruajë dekretin.
Edhe pse e përshëndesin nevojën për ndërhyrje në Kodin Penal, veçanërisht pas ndryshimeve të vitit 2023, zgjidhjet e miratuara, në vend që të sigurojnë stabilizim juridik në periudhën kalimtare deri në miratimin e një Kodi Penal plotësisht të ri, krijojnë pasiguri shtesë juridike, rrezik të konfuzionit institucional dhe përkeqësim të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë.
Disa nga shqetësimet e shprehura në letër thonë:
- Me ndryshimet e veprave penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe punë të pakujdesshme (nenet 353 dhe 353-v), parashikohen dënime maksimale më të ulëta krahasuar me gjendjen para vitit 2023, gjë që ndikon drejtpërdrejt në politikën ndëshkuese dhe në afatet e parashkrimit të ndjekjes penale për format e rënda të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të funksionit publik.
- Mbrojtja e mjeteve publike në paragrafin 5 të nenit 353 reduktohet kryesisht në keqpërdorimet në procedurat e prokurimit publik, dhe atë vetëm në një segment të tyre, pa u siguruar një mbrojtje penale gjithëpërfshirëse nga keqpërdorimi i mjeteve të buxhetit të shtetit, të vetëqeverisjes lokale dhe të fondeve publike përmes mekanizmave të tjerë.
- Te vepra penale e punës së pakujdesshme në shërbim, shfuqizohet inkriminimi i qartë i veprimit të pakujdesshëm të personave zyrtarë në organet e administratës shtetërore, çka në praktikë përbënte një mjet kyç për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në procedurat administrative.
- Zgjidhjet e propozuara për konfiskimin e zgjeruar, në aspektin konceptual dhe procedural, i përziejnë modelet e ndryshme të konfiskimit, çka bie ndesh me Ligjin për procedurën penale dhe me standardet ndërkombëtare, dhe hap rrezik për zbatim të paqartë dhe të pabarabartë, si dhe për cenim të sigurisë juridike dhe të prezumimit të pafajësisë.
Sipas platformës, shqetësim shtesë paraqet edhe fakti që ndryshimet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit miratohen në të njëjtin paketë ligjore me dispozita për harmonizimin me Konventën e Stambollit dhe forcimin e mbrojtjes së grave dhe viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Edhe pse këto ndryshime janë të domosdoshme dhe meritojnë mbështetje të pakushtueshme, kombinimi i tyre me ndryshime thelbësore dhe kontestuese në legjislacionin penal anti-korrupsion e vështirëson debatimin profesional dhe publik, dhe krijon rrezik që çështjet e rëndësishme lidhur me korrupsionin të mos shqyrtohen në të gjithë kompleksitetin e tyre”, thanë nga platforma.
Ata shtojnë se mënyra e miratimit të këtyre ndryshimeve, pa konsultime publike adekuate dhe pa përfshirje sistematike të prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk i përgjigjet ndjeshmërisë dhe rëndësisë së materies që rregullohet.
Më 28 janar, me 76 vota “për” dhe vetëm një kundër, pa asnjë amendament të pranuar nga diskutimet në komision dhe pa vërejtje nga ekspertët, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i miratoi ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga deputetët e shumicës VMRO-DPMNE.
Ndryshimet në Kodin Penal pritet të jenë një zgjidhje kalimtare, derisa të përgatitet Kodi Penal krejtësisht i ri nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë, i cili pritet të jetë gati deri në qershor të këtij viti.