Korrupsioni në shëndetësinë e RMV-së nuk është vetëm çështje parash, por edhe frike, mosbesimi dhe ndjenjës së pafuqisë
Korrupsioni në shëndetësi është aq i rrënjosur thellë, saqë pacientët besojnë se pa “lidhje”, ryshfet, dhuratë ose pagesë shtesë nuk do ta marrin me kohë shërbimin e nevojshëm shëndetësor. Ky është një nga konstatimet kryesore të debatit publik “Korrupsioni në shëndetësi – të flasim hapur”, i cili u mbajt në Tetovë. Në këtë ngjarje folën aktivistë të shoqërisë civile, punonjës shëndetësorë, por edhe qytetarë, të cilët ndanë përvojat e tyre për problemet dhe pengesat me të cilat përballen në institucionet shëndetësore, transmeton Portalb.mk.
Nga organizata qytetare “Forumi i Grave” thanë se hulumtimi i realizuar mes grave në rajonin e Pollogut ka treguar se korrupsioni nuk është vetëm çështje parash, por edhe frike, mungese informacioni, mosbesimi ndaj institucioneve dhe ndjenjës së pafuqisë gjatë pritjes për një shërbim të domosdoshëm shëndetësor.
“Një grua tregoi se për një kontroll të lidhur me shtatzëninë kishte pritur rreth dy orë, ndërsa një paciente tjetër ishte pranuar menjëherë, sepse e njihte mjekun. Një grua tjetër tregoi se i kishin kërkuar para për ta vendosur në listën e pritjes për një kontroll me ultrazë. Kishte edhe një rast kur një pacienteje i ishte thënë se, nëse dëshironte ta merrte shërbimin të nesërmen, duhej të sillte ‘diçka për ekipin’”, tha Sllagjana Josifoska nga “Forumi i Grave – Tetovë”.
Në debatin publik foli edhe dr. Edvina Berisha, specializante e gjinekologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës, e cila theksoi se korrupsioni ekziston edhe për shkak se mjekët që punojnë me ndershmëri kanë frikë nga presioni në vendin e punës, por edhe për shkak të mungesës së besimit te mekanizmat për raportimin e rasteve. Nga ana tjetër, pacientët shpesh ndodhen në një pozitë të pafavorshme.
“Pacienti ndien se është i detyruar të japë diçka që të trajtohet në përputhje me nevojat e tij. Kur bëhet fjalë për gratë shtatzëna, kjo ka një peshë të dyfishtë, sepse bëhet fjalë si për jetën e nënës, ashtu edhe për jetën e fëmijës. Prandaj, hapja e kësaj teme është një hap i rëndësishëm dhe do të ndihmojë që të identifikohet problemi, në mënyrë që asnjë pacient të mos detyrohet të japë diçka për ta marrë shërbimin shëndetësor”, theksoi dr. Berisha.
Gjatë debatit publik, para Qendrës së Kulturës në Tetovë, u vendos simbolikisht instalacioni “Salla e pritjes për një shëndet më të mirë”, i cili simbolizon format më të shpeshta të korrupsionit në shëndetësi. Kjo është pjesë e një serie ngjarjesh të organizuara nga Shoqata ESE, në kuadër të projektit “Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Ulja e korrupsionit në shëndetësi”.
“Kjo është tribuna e katërt publike për këtë temë dhe ajo që mund të përfundojmë është se si qytetarët, ashtu edhe punonjësit shëndetësorë janë të motivuar të flasin hapur për përvojat korruptive dhe të propozojnë zgjidhje konkrete për trajtimin e këtij problemi. Të gjitha idetë dhe propozimet konstruktive do të përfshihen në planin e veprimit për luftimin e korrupsionit në shëndetësi, i cili do t’u dorëzohet të gjitha institucioneve kompetente”, tha Darko Antiq nga Shoqata ESE.
Hulumtimet e realizuara në fund të vitit të kaluar treguan se korrupsioni ofrohet dhe kërkohet më së shumti për të siguruar një termin më të shpejtë për operacion ose kontroll te mjeku specialist.
Format më të shpeshta të korrupsionit janë dhënia e parave ose e ndonjë dhurate tjetër, orientimi drejt një institucioni shëndetësor privat ose dërgimi në farmaci për të blerë një ilaç të caktuar.
Rezultatet treguan gjithashtu se gratë janë më të ekspozuara ndaj korrupsionit sesa burrat, ndërsa më të cenueshëm janë personat në gjendje të vështirë sociale që jetojnë në zona rurale.
Shoqata ESE e zbaton projektin “Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Ulja e korrupsionit në shëndetësi” me mbështetjen financiare të Expertise France, përmes Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD).