Ndryshime pa koherencë: Pse korrigjimet e Kodit Penal nuk mjaftojnë?
Ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ishin të pashmangshme. Ato vijnë si reagim i vonuar ndaj ndryshimeve shumë të kontestuara të vitit 2023, të cilat e zbutën ndjeshëm politikën penale ndaj veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe formave të tjera të korrupsionit, duke shkaktuar parashkrim të shumë veprave të lidhura me korrupsionin dhe ish Prokurornië Speciale, si dhe kritika të forta nga publiku dhe komuniteti profesional. Paketa e re e ofruar nga ndryshimet e fundit synon të dëshmojë një kthesë korrigjuese, por mbetet pyetja thelbësore: a adresojnë këto ndryshime realisht problemin e korrupsionit dhe të sigurisë juridike, apo bëhet fjalë për një ndërhyrje të përkohshme dhe të pamjaftueshme?
Pa dyshim, zgjidhja e re është më e ashpër se ajo e vitit 2023. Disa elemente të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare janë zgjeruar sërish dhe dënimet janë rritur krahasuar me versionin e mëparshëm. Megjithatë, ato mbeten dukshëm më të buta sesa zgjidhja ligjore që ekzistonte para vitit 2023, e cila ofronte një bazë më të qartë dhe më gjithëpërfshirëse për ndjekjen penale të formave komplekse të abuzimit me pushtetin. Praktikisht, ligji aktual ndodhet diku në mes: më i rreptë se ai i vitit 2023, por më i dobët se ai paraprak, një kompromis që nuk arrin as të rivendosë plotësisht efektin parandalues, as të mbyllë boshllëqet juridike të krijuara nga reforma e kaluar.
Në aspekt pozitiv është se ndryshimet përfshijnë edhe dispozita që synojnë forcimin e mbrojtjes ndaj dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, në përputhje me obligimet që rrjedhin nga Konventa e Stambollit. Zgjerimi i ndjekjes penale ex officio, reduktimi i varësisë nga padia private dhe përmirësimi i mekanizmave mbrojtës për viktimat janë hapa të domosdoshëm në një sistem ku viktimat shpesh janë përballur me barriera institucionale serioze. Sigurisht, zbatimi praktik i këtyre dispozitave do të varet nga qartësia normative dhe kapacitetet institucionale.
Ndërkohë, dispozitat për konfiskimin paraqesin një nga aspektet më problematike të amendamenteve. Edhe pse paraqiten si forcim i mekanizmave për rikuperimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, zgjidhja e miratuar ngre shqetësime serioze lidhur me sigurinë juridike. Konfiskimi fokusohet kryesisht në përfitimet financiare, duke lënë potencialisht jashtë fushës së veprimit forma të tjera të përfitimit korruptiv, si shërbime, favore apo ndikim politik. Duke qenë se korrupsioni rrallëherë manifestohet vetëm përmes përfitimit monetar të drejtpërdrejtë, kjo qasje e kufizuar mund ta dobësojë ndjeshëm efektivitetin e sanksioneve penale.
Edhe më problematik është fakti se ndryshimet e reja e turbullojnë kufirin midis konfiskimit të thjeshtë dhe konfiskimit të zgjeruar. Tradicionalisht, këto dy institute kanë kushte, qëllime dhe garanci procedurale të ndryshme. Mosndarja e qartë e tyre në tekstin ligjor dëmton parimin e parashikueshmërisë dhe e cenon sigurinë juridike të personave që i nënshtrohen procedurave penale. Një kornizë e paqartë konfiskimi rrit rrezikun e zbatimit të pabarabartë të ligjit dhe e dobëson besimin në drejtësinë penale.
Përtej përmbajtjes së dispozitave individuale, vetë modeli i ndërhyrjeve të shpeshta në Kodin Penal meriton një reflektim serioz. Ndryshimet e vazhdueshme, shpesh të diktuara nga presioni politik apo reagime afatshkurtra, e minojnë sigurinë juridike dhe stabilitetin normativ. Kjo situatë përkeqësohet edhe më tej nga parimi themelor i së drejtës penale, sipas të cilit ligji më i butë zbatohet në favor të kryerësit. Në një ambient ku politika penale lëkundet vazhdimisht mes ashpërsimit dhe zbutjes, mbetet e paqartë se cili regjim ligjor do të zbatohet realisht dhe çfarë përfitimesh konkrete do të sjellin këto ndryshime për sundimin e ligjit.
Për këto arsye, thirrjet e vazhdueshme për miratimin e një Kodi Penal tërësisht të ri janë plotësisht të arsyetuara. Amendamentet fragmentare nuk mund të zëvendësojnë një reformë të thellë dhe koherente. Një Kod Penal modern, i hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe të bazuar në ekspertizë, është thelbësor për të siguruar koherencë midis veprave penale, sanksioneve, konfiskimit dhe garancive, si dhe për harmonizimin me standardet ndërkombëtare.
Në përfundim, ndryshimet e djeshme përbëjnë një korrigjim të pjesshëm, por jo një zgjidhje sistemike. Ato përmbajnë elemente pozitive, veçanërisht në fushën e mbrojtjes nga dhuna me bazë gjinore, dhe e ashpërsojnë disi qasjen ndaj keqpërdorimit të detyrës zyrtare krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, ato mbeten të pamjaftueshme për të adresuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe rrezikojnë të vazhdojnë erozionin e sigurisë juridike. Nëse synimi real është forcimi i sundimit të ligjit, hapi i ardhshëm duhet të jetë i qartë: tejkalimi i rregullimeve ad hoc dhe angazhimi serioz për miratimin e një Kodi të ri penal, koherent dhe të qëndrueshëm.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.