Liderët politikë uruan 11 Tetorin, theksuan rëndësinë e luftës antifashiste dhe forcimit të shtetit

Liderët shtetërorë dhe politikë në Maqedoninë e Veriut kanë uruar 11 Tetorin, Ditën e Kryengritjes Popullore, me rastin e 85-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike. Në mesazhet e tyre, ata kanë theksuar rëndësinë e luftës antifashiste, sakrificën e paraardhësve dhe përgjegjësinë për ndërtimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë manifestimit qendror në Kumanovë, tha se vendi duhet të synojë zhvillim ekonomik, forcim të institucioneve dhe përmirësim të standardit jetësor.

“Është koha për vendime të mëdha, për vepra të mëdha dhe për një vetëbesim të ri kombëtar. Shteti është krijuar për t’u zhvilluar, për të përparuar, për të krijuar dhe për të fituar”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se fitorja nënkupton luftën kundër varfërisë, korrupsionit, padrejtësisë, përçarjeve dhe emigrimit. Mickoski foli edhe për integrimin evropian, duke thënë se vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por pa hequr dorë nga identiteti dhe dinjiteti kombëtar.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në urimin e saj, e cilësoi 11 Tetorin si një datë me rëndësi historike dhe si përgjegjësi për brezat e sotëm për të ndërtuar një shtet demokratik dhe ligjor.

“11 Tetori nuk është vetëm një datë e rëndësishme historike. Ai është kujtesë e pashlyeshme dhe amanet i përhershëm për ruajtjen dhe zhvillimin e atdheut”, thuhet në mesazhin e presidentes.

Ajo bëri thirrje për unitet, përgjegjësi dhe respekt për drejtësinë, duke theksuar se institucionet duhet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe se ligjet duhet të vlejnë për të gjithë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili mori pjesë në homazhet për luftëtarët e lirisë në Varrezat Partizane në Butel, tha se kjo ditë simbolizon guximin dhe vendosmërinë në luftën kundër fashizmit.

“11 Tetori le të na kujtojë se dashuria për atdheun dëshmohet me vepra, përgjegjësi dhe kujdes për brezat e ardhshëm”, shkroi Toshkovski në Facebook.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili mori pjesë në manifestimin qeveritar në Kumanovë, theksoi se idealet për një shtet të drejtë dhe të barabartë duhet të mbeten udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, në urimin e tij kujtoi kontributin e partizanëve në krijimin e shtetit bashkëkohor maqedonas.

“Para 85 vjetësh, paraardhësit tanë, partizanët, e fituan fitoren që vendosi themelet e shtetit bashkëkohor maqedonas”, shkroi Filipçe, duke theksuar se LSDM-ja është trashëgimtare e vlerave të luftës antifashiste.

Ndryshe, 11 Tetori shënon fillimin e kryengritjes së organizuar kundër pushtuesve fashistë në vitin 1941, në Prilep dhe Kumanovë, dhe përkujtohet në Maqedoninë e Veriut si Dita e Kryengritjes Popullore.