Pas tensioneve në Këshill, Komisioni filloi shqyrtimin e riemërimit të rrugëve në Tetovë
Pas debatit të djeshëm të tensionuar në Këshillin Komunal të Tetovës lidhur me emrat e rrugëve, sot u mblodh Komisioni për emërimin e rrugëve, pas mbi 160 ditëve që nga rithemelimi i tij në janar, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i këtij komisioni, këshilltari Albi Qamili tha se ky proces do vijojë në disa faza.
“Ne sot kemi konfirmuar vetëm një pjesë të emrave, ku në mbledhjet e ardhshme do të kemi edhe shqyrtimin e plotë të listës deri në përfundimin e plotë të listës e cila duhet të miratohet në Këshillë dhe pastaj të dërgohet në Qeveri”, tha Qamili.
Ai tha se lista e propozuar është ndërtuar mbi një parim të qartë ku rrugët e Tetovës duhet ta pasqyrojnë identitetin e plotë të qytetit, historinë dhe karakterin shumë-etnik. Lista përmban emra shqip, maqedonisht, të figurave ndërkombëtare, qytete dhe të tjera.
“Kjo është faza e parë e konfirmimit të propozimeve dhe në momentin që do ta përfundojmë këtë listë të njëjtën do ta përfundojmë edhe në Këshillin komunal të Tetovës dhe më pas do ta nisim për mendimin në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Qamili.
Ai shtoi se në vijim do të përcaktohet edhe dinamika dhe afatet kohore për këtë proces. Ndërsa në mbledhjen e radhës do të diskutohet më gjerësisht lidhur me emrat e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në seancën e djeshme të Këshillit Komunal, këshilltarët opozitarë nga AKI-ja, kërkuan që si pikë në rendin e ditës të shtohet ndryshimi i emrave të disa rrugëve në qytet, ky propozim u pranua si pikë e fundit e rendit të ditës, pas së cilës këshilltarët e AKI-së e braktisën seancën pasi donin që kjo të jetë pikë e parë. Ndërsa më pas kjo pikë u tërhoq nga rendi i ditës.
- LEXO: Tensione, protesta dhe pauza në Këshillin e Tetovës për emrat e rrugëve, seanca mbaroi në mbrëmje
Pse u shfuqizuan emrat e rrugëve nga Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht.
Gjykata vendimin e solli pasi ka konstatuar se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.
Opozita vazhdimisht ka insistuar se në kohën kur është sjellë ky vendim, është kërkuar pëlqim nga niveli qendror, por nuk është marrë përgjigje, dhe në përputhje me nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna.
Këtij neni i referohet edhe Gjykata Kushtetuese, por në mungesë të dokumentit ku kërkohet pëlqimi, gjykata e shfuqizoi vendimin
Nga Komuna e Tetovës kanë thënë se nuk kanë pasur përgjigje nga Arkivi Shtetëror se ekziston kërkesë për pëlqim për ndryshimin e emrave e dorëzuar në Qeveri, ashtu siç e parasheh Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve.
As Qeveria nuk gjeti dëshmi. Portalb.mk kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes ligjit për qasje të lirë në informatat e karakterit publik të gjitha kërkesat e pranuara nga Komuna e Tetovës në arkivin e Qeverisë në periudhën nga 01.10.2006 deri më 01.05.2007.
Nga Qeveria na njoftuan se pas kontrollit të detajuar të dokumentacionit që ruhet në depon e Qeverisë, arriti ta gjejë vetëm një kërkesë e cila nuk ka të bëjë me çështjen e emrave të rrugëve, por për dëme të shkaktuara nga reshjet në disa fshatra.
Portalb.mk tani e disa ditë ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga Ministria e Transportit, nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007, por nga aty nuk u përgjigjën.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve.
Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti. Sipas komunës, brenda këtyre dy muajve pritet të ketë diçka më konkrete. Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.