Pas njoftimit për bomba në disa shkolla, Policia e Maqedonisë së Veriut vlerësoi që siguria në shkolla është në nivel

Policia e Maqedonisë së Veriut ka vlerësuar që situata në shkollat e vendit është në nivel pas realizimin të protokolleve, pas njoftimeve se në shkollat e Koçanit ka bomba, transmeton Portalb.mk.

“Informojmë qytetarët se protokollet për kontrolle dhe siguri në shkolla funksionojnë dhe menjëherë janë marrë masa derisa janë paraqitur njoftime për vendosjen e mjeteve eksplozive”, njoftojnë nga Policia e Maqedonisë së Veriut, duke njoftuar që njoftimi për bomba në shkollat e Koçanit është i rrejshëm.

Ata i sigurojnë prindërit që shkollat janë të sigurta, ndërsa udhëheqësit e shkollave duhet të sigurojnë zhvillimin e procesit arsimor pa pengesa.

Mësimi në ndërrimin e parë në shkollat fillore dhe të mesme në Koçani është ndërprerë për shkak paralajmërimeve për vendosjen e bombave në hapësirat e shkollave. Ky njoftim ishte dërguar përmes adresës elektronike në Komunën e Koçanit.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në muajin prill njoftoi se vijon ekspertiza në lidhje alarmet e rrejshme për bomba të dërguar prej tetorit të vitit të kaluar deri në mars të këtij viti në shkolla, por edhe institucione tjera të shtetit. Pasi që janë miratuar protokollet e reja dhe pasi opinioni ndaloi raportimin për alarmet për bomba, në fillim të marsit, sipas ministrit, nuk kishte arritur asnjë paraqitje për bombë.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. 

Ekspertët për Portalb.mk vlerësuan se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë,  ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.