Pas një periudhe të shkurtër të motit të ngrohtë, në Maqedoni pritet valë e re lagështie

Maqedonia sot do të jetë nën ndikimin e vranësirave të ndryshueshme, por me intervale të herëpashershme me diell. Siç njofton DPHM, në orët e pasdites në vende të caktuara do të ketë kushte për shi të lehtë lokal. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriu, transmeton Portalb.mk.

Temperaturat në mëngjes ishin mjaft të ulëta dhe varionin nga -3 deri në 4 gradë, ndërsa temperatura maksimale ditore do të arrijë 17 gradë në pjesët më të ngrohta të vendit. Në Shkup, moti do të jetë i ngjashëm, me një temperaturë maksimale deri në 15 gradë.

Në fillim të javës së re, do të ketë kushte për reshje të herëpashershme lokale. Drejt mesit të javës, do të mbizotërojë mot i qëndrueshëm dhe më i ngrohtë me një rritje të temperaturave ditore. Të enjten, do të fryjë erë e fortë nga jugu. Gjatë natës drejt të premtes dhe të premten, nën ndikimin e një vale të lagësht, priten reshje në disa vende.