RMV, ndryshimet e mëdha të motit e mbushën Neurologjinë me pacientë, rritje e sulmeve në tru dhe infarkteve

Të 50 shtretërit e Klinikës së Neurologjisë janë të zënë për shkak të rritjes së numrit të sulmeve në tru, të cilat mjekët i lidhin me ndryshimet e mëdha të temperaturave. Këtë për Meta.mk e konfirmoi drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Jovan Bozhinovski. Sipas tij, pacienti më i ri që ditëve të fundit ka pësuar sulm në tru dhe është shtruar në klinikë është 37 vjeç, ndërsa pacientja më e moshuar është 94 vjeçe. Rritjen e numrit të infarkteve dhe goditjeve në tru e konfirmojnë edhe nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore, transmeton Portalb.mk.

“Vazhdimisht kërkohet një shtrat më shumë në klinikë, ndërsa kapacitetet tona janë plotësisht të zëna. Ndërsa lëshojmë pacientët e vjetër, pranojmë të rinj. Pacientët e shtruar janë kryesisht nga grupmoshat më të vjetra. Ata kanë sëmundje kronike, ndër të cilat tension të lartë të gjakut, diabet, zemër të dobët dhe gjendje të tjera kardiovaskulare. Na mungojnë shtretërit, sepse nuk trajtojmë vetëm goditjet në tru, por edhe sëmundje të tjera”, tha Bozhinovski për Meta.

Ai shtoi se para një muaji kishin pasur një rast të pazakontë, kur një paciente vetëm 16-vjeçare kishte pësuar goditje në tru. Sipas tij, nuk ekziston parandalim i plotë i goditjes në tru, por mund të ndikohen faktorët e rrezikut.

“Nuk ekziston parandalim 100 përqind, por faktorët e rrezikut mund të mbahen nën kontroll. Te pacientët e rinj zakonisht bëhet fjalë për ndonjë anomali të zemrës ose aneurizëm, pasi ata nuk kanë simptoma. Goditja në tru është shkaku kryesor i aftësisë së kufizuar”, theksoi Bozhinovski, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që pacientët të paraqiten te mjeku me kohë.

“Sepse, nëse paraqiten me vonesë, rrezikojnë të mbeten me aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës”, tha Bozhinovski.

Rritjen e rasteve të goditjeve në tru dhe infarkteve të zemrës gjatë ditëve të fundit e konfirmoi edhe dr. Dragan Panov, mjek dhe shef i ndërrimit në Ndihmën e Shpejtë Mjekësore.

“Gjatë gjithë ditës, automjetet e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore lëvizin nëpër qytet. Ka shumë infarkte dhe goditje në tru për shkak të ndryshimeve të motit, të cilat ndikojnë shumë te personat me sëmundje kronike. Kemi pasur edhe lëndime në vendin e punës, persona që kanë rrëzuar në rrugë dhe raste kolapsi. Nuk ka ndonjë mënyrë parandalimi për këto raste, përveç marrjes së rregullt të terapisë. Përveç kësaj, kemi edhe shumë aksidente trafiku, prandaj kemi shumë ndërhyrje me persona të lënduar dhe raste urgjente”, tha dr. Panov për Meta.

Pas periudhës së motit të ftohtë në vend priten ndryshime të konsiderueshme të temperaturave. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), sot moti do të jetë me diell, me temperatura ditore deri në 24 gradë. Për nesër parashikohet mot pjesërisht i vranët, me periudha me diell, ndërsa në fund të ditës në pjesët perëndimore mund të ketë reshje lokale shiu. Nga nesër pasdite dhe gjatë ditëve në vijim pritet mot i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje, të cilat të enjten do të jenë më të dendura dhe në formë rrebeshi, me bubullima të herëpashershme.

Ndërkohë, sot promovohen 100 automjete të reja të ambulancës, për të cilat pushteti dje realizoi një spot reklamues me produksion të nivelit të lartë, disa kamera dhe dronë. Videon e publikoi në rrjetet sociale kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.