Pas një jave u hoq ndalesa për përdorimin e ujit për pije në Krushevë

Pas një jave, banorët e Krushevës mund ta përdorin sërish ujin nga ujësjellësi i qytetit për pije dhe përdorim shtëpiak. Pas tre analizave laboratorike radhazi që rezultuan të rregullta, Qendra për Shëndet Publik – Prilep konfirmoi se uji është i rregullt nga aspekti bakteriologjik dhe kimik, transmeton Portalb.mk.

“Kanë dalë rezultatet përfundimtare, të cilat tregojnë se uji është i sigurt për shëndetin dhe i përshtatshëm për pije. Ai është i sigurt, përmban klor rezidual brenda kufijve të nevojshëm dhe është i rregullt si nga aspekti bakteriologjik ashtu edhe ai kimik. Edhe rezultatet e dy ditëve të para, si dhe ato të ditës së tretë radhazi, nga mostrat e marra më 22, 23 dhe 24 korrik, u janë dorëzuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Prilep dhe Krushevë, si dhe Ndërmarrjes Publike Komunale në Krushevë”, deklaroi Petar Ohanesian, specialist dhe udhëheqës i Departamentit të Higjienës në Qendrën për Shëndet Publik – Prilep.

Bazuar në këto rezultate, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kreu sot inspektim kontrollues dhe e hoqi ndalesën për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Krushevës.

Ndalimi ishte vendosur më 23 korrik, pasi gjatë një kontrolli rutinë në ujë u zbuluan baktere fekale. Situata epidemiologjike mbetet e qëndrueshme dhe deri më tani nuk ka informacione për rritje të numrit të pacientëve që ankohen për sëmundje të zorrëve.

Nga Qendra për Shëndet Publik paralajmërojnë se analizat e të gjitha çezmave publike përgjatë rrugës për në Krushevë vazhdojnë të tregojnë papastërti bakteriologjike, prandaj uji nga ato çezma ende nuk rekomandohet për pije.