Pas 7 vitesh Shkupi bëhet sërish pikëtakimi i ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në konferencën e sotme për media njoftoi se nesër në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut do të qëndrojë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Çekisë, Petr Macinka, me të cilin do të diskutojë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, perspektivën evropiane, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

Mucunski theksoi se Macinka do të jetë një nga folësit në Këshillin e Ambasadorëve, i cili do të mbahet të enjten dhe të premten në Shkup, me pjesëmarrjen e drejtuesve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Maqeonisë së Veriut jashtë vendit.

“Kjo është hera e parë që nga viti 2019 që Këshilli i Ambasadorëve mbahet përsëri në vendin tonë, me pjesëmarrje fizike të drejtuesve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore. Pas disa vitesh, rrjetin tonë diplomatik e mbledhim përsëri në një vend për koordinim të drejtpërdrejtë, thelbësor dhe strategjik. Këshilli i Ambasadorëve është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për koordinimin strategjik të diplomacisë. Qëllimi është i qartë: të bëjmë një përmbledhje të punës së bërë, të harmonizojmë qëndrimet dhe, mbi të gjitha, të përcaktojmë detyra konkrete për periudhën e ardhshme“, tha Mucunski.

Sipas tij, Këshilli i Ambasadorëve është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për koordinimin strategjik të diplomacisë së vendit, me qëllim të qartë: të bëhet bilanci i punës së deritanishme, të harmonizohen qëndrimet dhe të përcaktohen detyra konkrete për periudhën e ardhshme.

“Do të diskutojmë për agjendën evropiane dhe euroatlantike, ndryshimet gjeopolitike dhe të sigurisë, stabilitetin rajonal, qëndrueshmërinë institucionale, diplomacinë ekonomike dhe punën konsullore. Por nuk do të analizojmë vetëm atë që po ndodh në botë. Do të përcaktojmë se çfarë nënkuptojnë këto ndryshime për shtetin tonë, si ndikojnë në interesat tona dhe çfarë presim konkretisht nga secila prej përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore“, theksoi Mucunski.

Mucunski njoftoi gjithashtu se janë duke vijuar përgatitjet për emërimin e diplomatit Krum Efremov si ambasador në Sofje.  

“Sa i përket ambasadorit në Sofje, procedura tashmë është në një fazë ku nuk është më e dhënë e klasifikuar dhe mund të bëj publike se ambasadori ynë në Bullgari do të jetë ambasadori Krum Efremov, diplomat profesionist, një nga diplomatët më cilësorë, do të thosha, sipas mendimit tim“, tha Mucunski. 

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.