Zvicra ofroi ndihmën e OSBE-së për kontestin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë
Thellimi i bashkëpunimit bilateral, forcimi i lidhjeve ekonomike dhe tregtare, mbështetja për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimi evropian ishin temat për të cilat sot në Shkup biseduan ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe ministri i Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesi i OSBE-së, Ignazio Cassis, transmeton Portalb.mk.
Për Mucunski, vizita ka rëndësi të dyfishtë, pasi përveç çështjeve bilaterale, në fokus është edhe roli i Cassis si kryesues i OSBE-së.
“Me ministrin Cassis biseduam për thellimin e bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në tregti, ekonomi dhe investime. Vlerësuam se ekzistojnë mundësi të konsiderueshme për forcimin e lidhjeve ekonomike përmes ndërlidhjes më të madhe të komuniteteve të biznesit dhe partneriteteve të reja në disa fusha. Qëllimi është që bashkëpunimi ekonomik të bëhet një shtyllë edhe më e fuqishme e marrëdhënieve dhe të krijojë mundësi bashkëpunimi edhe për qytetarët“, theksoi Mucunski.
Ofertë për ndihmë në integrimin evropian
Sa i përket integrimit evropian, ai përsëriti përcaktimin e vendit për një të ardhme evropiane dhe theksoi se me Cassis kanë biseduar për procesin e reformave dhe qëllimin strategjik të Maqedonisë së Veriut, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Mucunski theksoi se qasja e Qeverisë është realiste, por edhe ambicioze, me vazhdimin e reformave, përafrimin me standardet evropiane dhe forcimin e lidhjeve me të gjitha vendet evropiane.
Cassis shprehu mirënjohje për solidaritetin dhe ndihmën që vendi i kishte ofruar Zvicrës pas tragjedisë në Kran-Montana më 1 janar të këtij viti. Ai rikujtoi se mbështetja e Maqedonisë së Veriut ishte ndër të parat që mbërritën pas aksidentit, ndërsa vendi ofroi jo vetëm solidaritet spontan, por edhe ndihmë konkrete, duke pasur parasysh përvojën e vet me tragjedinë në Koçan.
Ai theksoi se prosperiteti dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë prioritet për Zvicrën dhe për të gjithë rajonin e OSBE-së, ndërsa përshëndeti dhe mbështeti perspektivën evropiane të vendit, për të cilën vlerësoi se do të kontribuojë në forcimin e pozitës së tij në kontekstin më të gjerë të sigurisë dhe politikës.
Cassis theksoi se OSBE-ja mund të ndihmojë në procesin e integrimit përmes monitorimit dhe analizimit të gjendjes në fushën e sundimit të ligjit, si dhe përmes lehtësimit të marrëdhënieve me vendet fqinje. Në këtë drejtim, ai theksoi se organizata, përmes misionit të saj në vend, është e gatshme të vazhdojë të ofrojë mbështetje.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Mucunski: Vijojnë bisedimet me Bullgarinë, procesi ka mbështetjen e institucioneve evropiane
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese
- LEXO: Asnjë përparim në rrugën drejt BE-së, Petrova i kërkoi Mucunskit afat kohor se kur vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese