Bashkimi Evropian po përgatitet t’i ndryshojë rregullat e lojës për zgjerimin

Bashkimi Evropian po përgatitet për zgjerim të ri, megjithatë së pari duhet t’i forcojë rregullat brenda vetes. Kështu ka thënë ditë më parë Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, transmeton Portalb.mk.

Kos ka njoftuar se Komisioni Evropain së shpejti pritet të japë propozime për zgjerimin, ndërsa ka theksuar se është e rëndësishme të forcohet mbështetja nga 27 shtetet anëtare.

Sipas njoftimeve, KE-ja po punon për ndryshimin e kushteve për anëtarët e rinj dhe pritet të publikojë propozime për përcaktim më të saktë të të drejtave të tyre, por edhe për mekanizma mbrojtës.

Megjithatë detaje konkrete dhe përfundimtare ende nuk janë publikuar.

Sipas zyrtarëve në Bruksel edhe pse vendet në parim janë pro zgjerimit, ka ende dilema për mënyrën e zgjerimit të shpejtë, kjo pasi ekziston frika se anëtarët e rinj mund të bllokojnë politika thelbësore, siç ka ndodhur me Hungarinë gjatë kohës së Orbanit.

Sipas zyrtarëve, po përgatiten propozime për ndryshimin e rregullave për anëtarët e rinj, i cili do t’u prezantohet liderëve të BE-së në takimin e Këshillit Evropian që nis më 15 tetor.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.