Gjatë muajit korrik, në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) kanë mbërritur pesë raportime për shpërthime epidemike të sëmundjeve akute infektive. Prej tyre, tre ishin me diagnozën toksikoinfeksion alimentar (helmim nga ushqimi i kontaminuar), një me salmonelë dhe një me infeksion të stomakut (gastroenterit), thuhet në buletinin për sëmundjet akute infektive për muajin korrik, të publikuar nga ISHP-ja, transmeton Portalb.mk.
“Epidemia e parë është raportuar nga Qendra e Shëndetit Publik (QShP) Prilep, me diagnozën Toxoinfectio alimentaris. Te personat e sëmurë është konfirmuar salmonela si shkaktar. Janë regjistruar gjithsej 44 persona të sëmurë, nga të cilët gjashtë janë hospitalizuar. Epidemia është shfaqur në një kolektiv pune. Nga QShP-ja e Shtipit është raportuar epidemia e dytë, gjithashtu me diagnozën Toxoinfectio alimentaris. Janë sëmurë gjashtë persona, pa pasur nevojë për hospitalizim. Edhe kjo epidemi është regjistruar në një kolektiv pune“, thuhet në buletin.
Epidemia e tretë është raportuar nga QShP-ja e Velesit. Bëhet fjalë për Toxoinfectio alimentaris, ku janë regjistruar 10 persona të sëmurë që kishin marrë pjesë në një tubim familjar. Katër prej tyre janë hospitalizuar.
Helmim nga ushqimi ka pasur edhe në Strumicë, ndërsa si shkaktarë janë identifikuar bakteri Staphylococcus aureus dhe enterotoksina stafilokokale.
“Helmimi është shfaqur në një kopsht fëmijësh, ku janë raportuar gjashtë persona të sëmurë, një prej të cilëve është hospitalizuar“, thuhet më tej në buletin.
Epidemia e pestë është raportuar nga QShP Tetovë – Njësia rajonale Gostivar dhe ka të bëjë me gastroenterit. Epidemia është raportuar më 19 korrik, me dyshimin për një epidemi të shkaktuar nga uji, ku janë raportuar 140 persona të sëmurë dhe 9 të hospitalizuar.
Të gjitha epidemitë janë shpallur të përfunduara gjatë muajit vijues, me përjashtim të epidemisë në Gostivar, e cila është ende në vazhdim.