Do të ndërtohet parking prej 1.6 milionë eurosh pranë Kuvendit të RMV-së

Hapësira pranë Kuvendit, e cila deri tani përdorej si parking i improvizuar dhe ku ishte planifikuar të ndërtohej një garazh shumëkatësh, do të rregullohet si hapësirë parkimi për automjetet e deputetëve dhe automjetet zyrtare. Për rregullimin e hapësirës dhe ndërtimin e parkingut do të shpenzohen 101.951.456 denarë (rreth 1.6 milionë euro),  transmeton SDK.mk.

Sipas ueb-faqes së Byrosë për Prokurime Publike, Kuvendi më 8 qershor ka lidhur kontratë për furnizimin me pajisje dhe rregullimin e hapësirës së zonës së sigurisë me kompaninë “Stenton Gradba” SH.P.K. nga fshati Orizar i Poshtëm, Manastir.

Hapësira tashmë është rrethuar me barriera dhe në terren kanë filluar aktivitetet ndërtimore.

“Zona përreth Kuvendit është shpallur zonë e sigurisë. Hapësira brenda zonës së sigurisë, përveç pjesës para hyrjes kryesore të Kuvendit, është dedikuar për parkimin e automjeteve për nevojat e Kuvendit. Punimet ndërtimore për rregullimin e hapësirës përreth objektit të Kuvendit, të shpallur zonë e sigurisë, po realizohen në përputhje me kontratën për prokurim publik të datës 08.06.2026”, deklarojnë nga Kuvendi.

Sipas kontratës së prokurimit publik të publikuar në ueb-faqen e Byrosë për Prokurime Publike, në këtë hapësirë duhet të hiqet asfalti ekzistues, më pas të vendosen pllaka graniti, të ndërtohen shtigje dhe vende parkimi, të mbillen pemë dhe të vendosen pajisje urbane dhe ndriçim. Gjithashtu, parashihet ndërtimi i një porte të re dhe furnizimi e vendosja e sistemit për hyrje dhe dalje nga parkingu.

Me ndryshimin e Planit Detal Urbanistik “Unaza e Vogël”, gjatë mandatit të kryetarit të atëhershëm të komunës, Vladimir Todoroviq, në vend të garazhit nëntokësor u parashikua ndërtimi i një garazhi shumëkatësh.

Në qershor të vitit 2013, në një ankand elektronik në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, tokën e bleu kompania “Ango” SH.P.K. me çmim prej 136 euro për metër katror, ose gjithsej rreth 333 mijë euro për parcelën prej 2.455 metrash katrorë.

Plani lejonte që garazhi të ishte i lartë 9 metra, ndërsa 15 përqind e objektit mund të përdorej si hapësirë afariste, dyqane ose objekte hotelierike.

Leja e ndërtimit për garazhin shumëkatësh u anulua në vitin 2018 nga ish-kryetari i Komunës Qendër, Sasho Bogdanoviq, pasi investitori nuk kishte filluar ndërtimin brenda afatit të paraparë.

Megjithatë, investitori e apeloi vendimin dhe, pas një procedure gjyqësore që zgjati disa vite, vendimi i Komunës Qendër u shfuqizua dhe investitorit iu lejua të ndërtonte.

Në gusht të vitit 2024, investitori DTPU “Ango” SH.P.K. nga Shkupi e rrethoi hapësirën përreth Kuvendit dhe filloi pastrimin e saj për ndërtimin e garazhit shumëkatësh.

Kryeministri Hristijan Mickoski, në shtator të vitit 2024, deklaroi se “dikush dikur nuk ka qenë i arsyeshëm, është sjellë në mënyrë të papjekur dhe ka bërë diçka që rrezikon sigurinë e Kuvendit”.

Më pas, në Kuvend u miratua Ligji për shpalljen e hapësirës përreth Kuvendit zonë të sigurisë, me të cilin u ndalua ndërtimi dhe u njoftua se kompania që kishte blerë tokën do të kompensohej.