Parkingu pas QT “Bunjakovec” do të bëhet garazh në kate, nga Komuna thonë se ka mungesë parkingjesh

Parkingu i montuar pas qendrës tregtare “Bunjakovec” do të bëhet garazh shumëkatësh. Kështu parashikon programi zhvillimor për vitin 2024, i cili është miratuar nga Komuna Qendër në seancën e fundit të Këshillit. Për ndërtimin e objektit janë planifikuar 5.2 milionë euro dhe sipas Planit të Detajuar Urbanistik ekzistues për këtë pjesë, objekti mund të jetë deri në 29 metra lartësi, transmeton Portalb.mk.

Vetëm grupi i këshilltarëve “Shansë për Qendrën” votoi kundër vendimit për ndërtimin e një garazhi në kate, sipas të cilit kjo pjesë do të betonohet me këtë objekt.

“Asnjë analizë, asnjë studim fizibiliteti, asnjë konsultim me qytetarët. Fillimisht kërkuam të analizojmë se si një ndërtesë e tillë gjigante do të ndikojë në mjedis dhe trafik në shkollën fillore Johann Heinrich Pestalozzi dhe nëse ka ndonjë nevojë për garazh të tillë”, thonë nga grupi i këshilltarëve “Shansë për Qndrën”.

Nga Komuna e Qendrës thonë se po planifikojnë garazhin sepse një nga problemet më të mëdha në Qendër është parkimi.

“Frekuenca e njerëzve dhe e trafikut është e lartë sepse është një zonë qendrore e qytetit ku ndodhen institucionet dhe objektet kryesore. Ne ofrojmë vazhdimisht parkingje për banorët, por edhe ato janë të pakta, duke qenë se një familje ka disa makina. Parkingu i montuar pas qendrës tregtare “Bunjakovec” ka rreth 100 vende parkimi, të cilat nuk mjaftojnë për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Të ballafaquar me një problem kaq të mprehtë, për shkak të të cilit krijohet kaos në komunikacion, vazhdimisht jemi në kërkim të zgjidhjes dhe strategjisë afatgjatë, por tani për tani jemi duke bërë vetëm analiza”, thonë nga Komuna Qendër.

Komuna shton se në programin e zhvillimit për vitin 2024 parashikohen vetëm mjete për të bërë një analizë kosto-përfitim për përfitimin e një projekti të tillë, siç është ndërtimi i një garazhi të ri. Një raport për mbrojtjen e mjedisit ende nuk është bërë. Në garazh nuk janë planifikuar objekte për partneritet publik apo biznes. Projekti duhet të realizohet me mbështetjen e fondeve të BE-së.