Përfundon armëpushimi në Gaza, po zhvillohen negociata për ta zgjatur edhe dy ditë të tjera

Krerët e CIA-s dhe Mossad-it u takuan me kryeministrin e Katarit në Doha në përpjekje për të zgjatur armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit për dy ditë të tjera. Mediat egjiptiane njoftuan se pauza në luftime do të zgjatet për dy ditë në të njëjtat kushte si më parë, transmeton Portalb.mk.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se propozimi është duke u shqyrtuar, por asgjë nuk është konfirmuar deri më tani. Gazeta “Haaretz” raportoi se marrëveshja për zgjatjen e armëpushimit varet më së shumti nga fakti nëse Hamasi arrin të lirojë dhjetë pengje të tjera në ditë, pasi në pengjet e tij mbeten më pak gra dhe fëmijë.

Sipas marrëveshjes origjinale të armëpushimit, të dyja palët ranë dakord të lironin kryesisht gratë dhe fëmijët.

Burime nga procesi i negociatave thanë për gazetën “Haaretz” se Izraeli nuk është në disponim për të zgjatur armëpushimin për javën e ardhshme, por më së shumti deri në fund të fundjavës.

Sot është dita e dytë dhe e fundit e armëpushimit të zgjatur, pasi dje u liruan 12 pengje dhe 30 të burgosur palestinezë. Në pesë ditët e fundit janë liruar gjithsej 81 pengje dhe 180 të burgosur palestinezë.