Gjashtë kantiere në Qendër të Shkupit u gjobitën me nga 1.300 euro, nuk i respektuan detyrimet ligjore
Shërbimet inspektuese të Komunës Qendër javën e kaluar kanë kryer kontrolle në kantieret e ndërtimit në territorin e saj dhe kanë shqiptuar gjashtë gjoba në vlerë prej 1.300 eurosh secila. Siç informojnë nga Komuna Qendër, javën e kaluar janë kontrolluar 10 kantiere aktive dhe janë konstatuar shkelje serioze në respektimin e detyrimeve ligjore, transmeton Portalb.mk.
Gjatë kontrolleve të kryera në orët e vona të pasdites, përveç gjobave në para, shërbimet inspektuese kanë larguar edhe bllokues dhe shtylla të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.
“Shërbimet inspektuese janë në terren. Përveç kontrolleve të rregullta, po zhvillojmë edhe kontrolle të jashtëzakonshme me qëllim mbrojtjen e mjedisit, parandalimin e ndotjes, ruajtjen e pastërtisë publike dhe sigurimin e trotuareve dhe rrugëve. Nuk do të tolerojmë cenimin e hapësirës publike”, tha kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski.
Komuna Qendër u bën thirrje të gjithë investitorëve dhe kompanive të ndërtimit që t’i respektojnë detyrimet ligjore dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht gjatë kryerjes së punimeve ndërtimore në zonat me banim individual.
Ndryshe, në maj, banorët e një lagjeje në Qendër të Shkupit kishin alarmuar për punimet në një kantier ndërtimi, pasi gjatë punimeve kishte ndodhur rrëshqitje dheu që kishte rrezikuar ndërtesën fqinje, trotuarin dhe rrugën. Banorët kishin raportuar se ekskavatori po punonte edhe gjatë një dite feste, ndërsa pas sinjalizimeve të tyre në terren kishin dalë autoritetet kompetente.